Nikolas Bushi është shpallur fitues i edicionit të dytë të spektaklit “Albania’s Got Talent”.
Që nga audicionet, ventrilokuisti spikati si një emër i veçantë. Performanca e tij magjepsi jurinë, e cila e dërgoi direkt në finale përmes Golden Buzzer-it, një moment që u shndërrua në pikë kthese për rrugëtimin e tij artistik.
Mbrëmjen e finales, ishte publiku ai që vulosi fitoren, duke e shpallur me vota masive fituesin absolut të këtij edicioni.
Në vend të dytë u rendit tenori Diego Zelka, një zë i fuqishëm e një talent i rrallë që la gjurmë të forta në këtë edicion.
Vendi i tretë iu besua djemve nga Kosova të grupit “Toxic Rekord”, të cilët me energjinë dhe origjinalitetin e tyre fituan simpatinë e publikut shqiptar.
Një finale magjike u transmetua për gati tri orë ne ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus. Çdo konkurrent dha maksimumin, duke e shndërruar skenën në një mozaik emocionesh, kulture dhe talenti.
Motive të thella të trashëgimisë shqiptare sollën grupi i grave Teuta nga Maqedonia e Veriut si dhe “Alba Folk”, të cilët përcollën krenari dhe identitet përmes interpretimit të tyre.
Akrobati Sajmir Hamolli elektrizoi sallën me një performancë spektakolare, duke fituar ovacionin e publikut dhe vlerësimin e jurisë.
Magjia nuk mungoi as këtë finale, falë iluzionistit Dashnor Bushi, i cili e shndërroi skenën në një botë fantastike, ku çdo numër la publikun pa fjalë.
Ndërsa Andi Hyso, Roan Bejleri, Erdenaj Sali dhe Briselda Yzeiri dëshmuan edhe një herë se finalja ishte vendi i duhur për ta, duke dhuruar performanca të denja për një mbrëmje finale.
Për 12 javë me radhë “Albania’s got talent” u kthye në spektaklin e rekordeve, dhe konfirmoi edhe një herë se Shqipëria ka talente të jashtëzakonshme, ndërsa fitorja e Nikolas Bushit nuk është vetëm një çmim, por fillimi i një kapitulli të ri dhe premtues për të në botën e artit.





