Subscribe

Lumi i koncesioneve të dhëna në energjetikë duket se do ti nënshtrohet skanimit të radhës. Ministrja e infrastruktures Belinda Balluku tha se vetëm 96 hidrocentrale janë operative, pjesa tjetër do të verifikohet duke paralajmëruar edhe pezullimin e kontratave.

 

 

Sot vetëm 96 hidrocentrale janë operative. Ato i përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo operative, në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e HEC-eve të vegjël, impaktin ekonomik dhe social të tyre, e me radhë. Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo-operative, sesa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë. Kam vendosur fillimin e një procesi skanimi të dokumentacionit licensues të çdo subjekti të licensuar, e po ashtu dhe skanim fizik të çdo HEC-i dhe subjekti realizues.

 

 

 

Sipas të dhënave janë rreth 440 leje për ndërtim hirocetralesh në vend, numri me i madh i te cilave eshte fimosur para vitit 2013. Balluku tha se cdo kontrate do të rivlerësohet për të parë nese është në përputhje me ligjin, por edhe për të mos demtuar natyrën, sikundër është rasti i HEC-it në Gramsh, për të cilin po kryhen verifikime me ministrin e mjedisit.

 

 

Kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu, do të bashkërendojmë me  Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të paatakueshme, por faktikisht të papranueshme, siç është dhe rasti i fundit në Gramsh. Së bashku me Ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin dhe do të punojmë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave. Por, dua ta them shumë qartë: vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore.

 

 

Sipas ministres, institucioni do të tregohet i kujdesshëm për të mos krijuar konflikte që rëndojnë mbi qeverinë, por ajo u shpreh qartë se shumë prej lejeve nuk kanë zbatuar afatet e përcaktuara.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *