Ngërçi me pagat ka sjellë ndërprerje të pjesshme të aktivitetit në disa gjykata të vendit. Në Durrës, Berat dhe Fier, shërbimet gjyqësore janë kufizuar, ndërsa vijojnë vetëm çështjet me karakter urgjent.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës njoftoi se veprimtaria administrative-gjyqësore është ndërprerë pjesërisht në Seksionin Civil. Shërbimet po ofrohen në mënyrë të kufizuar, vetëm për çështjet urgjente.
Sipas gjykatës, situata lidhet me Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës, e cila po zhvillohet sot për problematikën e pagave.
Në Berat, ndërkohë, aktiviteti gjyqësor është bojkotuar gjatë ditës së sotme, me përjashtim të seancave urgjente, si masat e sigurisë dhe urdhrat e mbrojtjes. Shkak është bërë moskalimi i pagave të administratës gjyqësore, të cilat, sipas punonjësve, duhej të ishin kaluar që më 3 shtator.
Administrata e Gjykatës së Beratit paralajmëron se bojkoti mund të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në zgjidhjen e situatës dhe kalimin e pagave.
Edhe në Fier, administrata gjyqësore vijon për të dytën ditë radhazi bojkotin për shkak të ngërçit me pagat. Qytetarëve nuk po u ofrohen shërbimet e zakonshme, ndërsa zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent.
Punonjësit shprehen të indinjuar, duke theksuar se paga është e vetmja e ardhur ekonomike për familjet e tyre. Ata kanë përgatitur gjithashtu një kërkesë për rritje page, duke argumentuar se ekziston një diferencë e madhe mes pagave të administratës dhe atyre të gjyqtarëve, ndërsa ngarkesa e punës në Gjykatën e Fierit është e lartë.





