E premte, 20 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 33 minuta më parë
Sociale

Nga tradicionalë te ata modern, si i zgjedhim emrat e fëmijëve? Të ftuarit tregojnë në “Takohemi n’Vizion” historitë pas emrave të tyre

Emri është dhurata e parë që prindërit i bëjnë një fëmije dhe një nga vendimet që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Por sa duhet të ndikojë shija e prindërve në këtë zgjedhje? A duhet të preferohen emrat modernë apo tradicionalë dhe si mund të gjendet një emër që të jetë i veçantë, por edhe të tingëllojë bukur me kalimin e viteve?

Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “Takohemi n’Vizion”, ku të ftuarit Zugrilda Kërthi, fotografe, Raisa Alimerkaj, graphic designer, dhe Fjordi Subashi, sipërmarrës, ndanë historitë e tyre personale, mënyrën se si u janë vendosur emrat dhe zgjedhjet që kanë bërë për të afërmit e tyre.

Fjordi Subashi tregoi se emrin e tij e ka vendosur daja, ndërsa jo rrallëherë ai është ngatërruar me emra të tjerë.

“Emrin tim e ka vendosur daja. Shpeshherë ma ngatërrojnë edhe me Frojd dhe Bjordi. Më ka rastisur që kam gjetur edhe Fjordë të tjerë”, tregoi ai.

Reklamë

Ndërsa Zugrilda Kërthi zbuloi se emri i saj ka një lidhje me traditën familjare, pasi pjesa e parë e tij është marrë nga stërgjyshja. Ajo shpjegoi se në zonën e tyre ishte traditë që emrat e stërgjyshërve të trashëgoheshin, por të përshtateshin disi në një formë më moderne.

“Kam pjesën e parë të emrit nga stërgjyshja. Zona jonë e kishte traditë të vendoste emrat e stërgjyshërve, por t’i modernizonin pak. Jam mësuar tashmë, sepse më parë më pyesnin nga vjen ky emër. Sa herë them emrin, marr gjithmonë një reagim”, tha Kërthi.

Raisa Alimerkaj tregoi se emri i saj është rus dhe ia ka vendosur gjyshja, e frymëzuar nga një mësuese që kishte njohur në shkollë.

“Emrin e kam rus. Ma ka vendosur gjyshja nga mami. Gjyshja ka pasur në shkollë një mësuese që vajza e saj e kishte emrin Raisa”, rrëfeu ajo.

E pyetur nëse i ka ndodhur ndonjëherë të mos e pëlqejë emrin e saj, Zugrilda u shpreh se është mësuar me të dhe se për të rëndësi ka fakti që i pëlqen vetë.

“Jo, jo. E kanë pëlqyer njerëzit, por edhe nëse nuk e pëlqejnë, mua më pëlqen. Më rri fiks si emër. Jo domosdoshmërisht emri lidhet me karakterin, por mua më rri shumë mirë”, tha ajo.

Fjordi Subashi tregoi se për fëmijët ka preferuar emra të thjeshtë, që nuk janë të komplikuar dhe që tingëllojnë bukur.

“Djalit të vogël ia kemi vendosur emrin David. Për djalin e madh ka qenë dëshirë e imja dhe ia kemi vënë Nikolas, ndërsa vajzës Kamila. Kemi gjetur emra që nuk janë shumë të komplikuar”, tha Subashi.

Nga ana tjetër, Raisa Alimerkaj tregoi se nuk i pëlqen ideja e emrave shumë të përhapur dhe se ka nisur të mendojë e të mbledhë emra për fëmijët e saj të ardhshëm.

“S’më pëlqen kjo ideja e emrit shumë të përhapur. Prindërit kanë shumë mundësi për të krijuar emër. Unë për vete kam një listë të gjatë për fëmijët. E kam bërë gati listën. Emri për djal, Alzen më pëlqen. Më jep një fuqi si emër”, u shpreh Alimerkaj.

Zugrilda shtoi se preferohen edhe emrat e shkurtër, ndërsa Raisa përmendi se ka shumë emra me origjinë greke që përdoren gjithashtu.

Në fund, Zugrilda Kërthi u shpreh se emrat tradicionalë shqiptarë mbeten një alternativë interesante, megjithëse jo të gjithë janë në shijen e saj.

“Interesante janë edhe emrat tradicionalë shqiptarë, por Tetuta, për shembull, s’do të më pëlqente”, përfundoi ajo.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.