Pas deklaratave të fundit të presidentit Trump se flota amerikane mund të godasë Teheranin, BBC ka analizuar shtatë skenarët për atë që mund të sjellë një sulm i ri i SHBA-së.
Pavarësisht skenarëve, rrjeti britanik thekson se “rreziku më i madh tani është që Presidenti Trump, duke vendosur këtë forcë të fuqishme pranë kufijve të Iranit, të vendosë se duhet të veprojë për të mos humbur besueshmërinë e tij dhe të fillojë një luftë pa një rezultat të qartë përfundimtar dhe me pasoja të paparashikueshme dhe potencialisht katastrofike”.
Skenari 1 – Sulme të synuara dhe kalimi në demokraci
Skenari i parë, më optimisti, parashikon që forcat amerikane të kryejnë sulme të sakta ndaj bazave ushtarake të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe njësisë Basij, një forcë paralele nën kontrollin e IRGC-së, ndaj vendeve të lëshimit dhe magazinimit të raketave balistike, si dhe ndaj programit bërthamor të Iranit.
Në këtë skenar, regjimi tashmë i dobësuar i Teheranit rrëzohet, duke çuar në një demokraci të vërtetë, ku Irani mund të ribashkohet me pjesën tjetër të botës.
Megjithatë, BBC kujton se ndërhyrjet ushtarake të Perëndimit në Irak dhe Libi nuk sollën një kalim të qetë në demokraci, edhe pse përfunduan diktatura të dhunshme. Në të dy vendet, pas ndërhyrjeve pasuan vite kaosi dhe gjakderdhjeje. Ndërkohë, Siria, ku regjimi i Asadit u përmbys pa mbështetjen ushtarake perëndimore, është në një situatë më të mirë.
Skenari 2 – Regjimi mbijeton por modifikon politikat
Skenari i dytë, i ngjashëm me rastin e Venezuelës, parashikon që ndërhyrja e shpejtë amerikane lë regjimin teokratik të paprekur, por e detyron të zbutë politikat e tij.
Për Iranin, kjo do të nënkuptonte që Republika Islamike mbijeton, gjë që nuk do të kënaqte shumë iranianë, por regjimi do të detyrohej të kufizonte mbështetjen për milicitë e dhunshme në Lindjen e Mesme, të ndalonte ose të kufizonte programet bërthamore dhe balistike dhe të lehtësonte shtypjen e protestave. BBC vëren se ky është skenari më pak i mundshëm.
“Udhëheqja e Republikës Islamike ka mbetur sfiduese dhe rezistente ndaj ndryshimit për 47 vjet. Duket e paaftë të ndryshojë kursin tani”, shton BBC.
Skenari 3 – Regjimi rrëzohet dhe zëvendësohet nga qeverisja ushtarake
Skenari i tretë, që për shumë analistë është më i mundshmi, parashikon që regjimi i Teheranit të zëvendësohet nga një qeveri e fuqishme ushtarake, kryesisht me pjesëtarë të Gardës Revolucionare.
Kjo do të ndodhte për shkak të kaosit që do të pasojë pas një sulmi amerikan, ndryshe nga protestat që nuk arrijnë të rrëzojnë regjimin, sepse nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga pjesëtarë të brendshëm dhe sepse ata që janë në pushtet janë të gatshëm të përdorin dhunë të pakufizuar për të qëndruar në pushtet.
Skenari 4 – Iran sulmon forcat amerikane dhe vendet fqinje
Skenari i katërt parashikon përgjigjen e Iranit me sulme ndaj forcave amerikane dhe vendeve fqinje. Teherani mund të përdorë raketa balistike dhe dronë, shumë prej të cilëve janë të fshehur në shpella, tunele ose male të largëta.
Skenari 5 – Iran vendos minat në Gjirin Persik
BBC thotë se përgjatë anës arabe të Gjirit Persik, kryesisht në Bahrein dhe Katar, ekzistojnë baza dhe objekte amerikane të shpërndara. Objektiva mund të bëhen edhe vende që Teherani i konsideron bashkëpunëtorë të SHBA-së, si Jordania ose Arabia Saudite.

Skenari 6 – Sulme masive ndaj flotës amerikane
Skenari i gjashtë përfshin një sulm masiv ndaj anijeve të Marinës së SHBA-së. Në këtë skenar, Irani mund të dërgojë një numër të madh dronësh dhe anijesh të vogla, kaq shumë sa që edhe mbrojtja e fuqishme amerikane nuk do të mund t’i neutralizonte të gjitha në kohë.
Fundosja e një anije lufte amerikane, së bashku me kapjen e mundshme të pjesëtarëve të ekuipazhit, do të përbënte një turp të madh për SHBA-të.
Skenari 7 – Rrëzimi i regjimit dhe kaosi i pasueshëm
Skenari i fundit, që përfaqëson shqetësimet më të mëdha të vendeve si Katar dhe Arabia Saudite, parashikon rrëzimin e regjimit të Teheranit, por pasohet nga një kaos civil me tensione etnike. Këto mund të çojnë në konflikte të armatosura nga minoritetet që do të përpiqen të mbrojnë komunitetet e tyre.
Irani është vendi më i madh i Lindjes së Mesme nga ana e popullsisë, rreth 93 milionë banorë, dhe askush nuk do të dëshironte ta shihte të zhytet në kaos, duke shkaktuar një krizë humanitare dhe refugjatësh.//vizionplus.tv





