Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Post”, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira dhe të reklamimit të kësaj veprimtarie në rrjetet sociale.
Gjatë operacionit janë goditur dy raste të tjera të ushtrimit të prostitucionit, ndërsa janë zbuluar dy apartamente ku dyshohet se kryhej kjo veprimtari.
Në pranga kanë rënë tre shtetase të huaja:
L. S., 46 vjeçe, dhe T. S., 21 vjeçe, të dyja shtetase braziliane. Sipas Policisë, 46-vjeçarja dyshohet se shfrytëzonte 21-vjeçaren për ushtrimin e prostitucionit në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”.
M. V., 23 vjeçe, shtetase kolumbiane, e cila dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulcebe”, me qëllim ushtrimin e prostitucionit.
Gjatë kontrollit në apartamentin në rrugën “Abdyl Frashëri”, shërbimet e Policisë sekuestruan 6 celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për reklamimin e kësaj veprimtarie në rrjetet sociale.
Sipas Policisë, kontrollet dhe verifikimet kundër kësaj veprimtarie kriminale po vijojnë si në terren, ashtu edhe në hapësirën digjitale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





