Nga artistja e “Revolucionit të Flamingove” te prangat me 91 molotovë, kush është Fatime Paja që u kap me arsenalin e protestës

Fatime Paja u arrestua gjatë protestës së djeshme, pasi policia dyshon se ajo furnizonte protestuesit me molotovë dhe mjete të tjera për sulme ndaj efektivëve dhe institucioneve.
29-vjeçarja u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa”, në një makinë tip “Fiat”, ku policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë dhe 59 tuba metalikë.
Lidhja e Fatma Pajës me lëvizjen e njohur si “Revolucioni i Flamingove” lidhet me krijimin e simbolit të protestave dhe me pjesëmarrjen e saj në marshime.
Sipas Associated Press, Paja ishte pjesë e grupit të artistëve që krijuan figurat e flamingove të mbajtura nga protestuesit gjatë marshimeve në Tiranë. Artistët zgjodhën flamingon për të përfaqësuar Lagunën e Nartës, zonë e mbrojtur që frekuentohet nga këta shpendë dhe ku parashikohej një pjesë e projektit turistik të kundërshtuar nga protestuesit. Përdorimi i përsëritur i figurave gjatë marshimeve i dha lëvizjes emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Sipas të njëjtit raportim, Paja ka udhëhequr me megafon thirrjet “Shqipëria nuk shitet!” dhe “Mos e prekni Nartën!”
Grupi i artistëve ku ajo bën pjesë ka organizuar gjithashtu aktivitete vizatimi dhe ngjyrosjeje për fëmijët gjatë kohës që prindërit e tyre merrnin pjesë në marshime.




