Edhe pse na ndan vetëm një ditë nga takimi i negociatorëve të Moskës, Kievit dhe Uashingtonit, Rusia nuk i ka ndalur sulmet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi këtë të martë se Rusia preferon të vazhdojë sulmet sesa të angazhohet në diplomaci.
Më shumë se 70 raketa dhe 450 dronë u lëshuan në Ukrainë gjatë natës.
“Shfrytëzimi i ditëve më të ftohta të dimrit për të terrorizuar njerëzit është më i rëndësishëm për Rusinë sesa kthimi te diplomacia. Dhe kjo tregon shumë qartë se çfarë nevojitet nga partnerët tanë dhe çfarë mund të ndihmojë. Dorëzimi në kohë i raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe mbrojtja e jetës normale janë përparësia jonë. Pa presion mbi Rusinë, kjo luftë nuk do të ketë fund. Tani për tani, Moska po zgjedh terrorin dhe përshkallëzimin, dhe kjo është arsyeja pse kërkohet presion maksimal”, tha presidenti Zelensky.
Presidenti rus Vladimir Putin ra dakord javën e kaluar të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj qyteteve të mëdha ukrainase dhe infrastrukturës energjetike deri të dielën, pas një “kërkese personale” nga presidenti amerikan Donald Trump. Por ky premtim nuk është mbajtur.





