Nepali goditet sërish nga përmbytjet, pesë të zhdukur, shtëpi dhe ura të shkatërruara

Nepali po përballet me një valë të re përmbytjesh shkatërruese. Pesë persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa shtëpi dhe ura u rrënuan nga rrëketë e baltës.
Sipas autoriteteve, ekipet e shpëtimit kanë arritur të evakuojnë 95 persona, përfshirë nëntë shtetas të huaj. Ndërkohë, mbi 650 persona janë prekur nga përmbytjet, ndërsa vijojnë përpjekjet për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar komunitetet e prekura.
Fatkeqësia vjen në një moment kur vendi po përpiqet ende të rikuperohet nga përmbytjet shkatërruese të gushtit, të cilat goditën qytete përgjatë kufirit me Tibetin. Sipas raportimeve, ato shkaktuan më shumë se 1.400 viktima, ndërsa mijëra persona të tjerë vijonin të rezultonin të zhdukur.
Përmbytjet e fundit u regjistruan ndërsa komunitetet lokale po përgatiteshin për festivalin Dashain, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin kulturor dhe fetar të Nepalit.
Situata ka shtuar shqetësimet për sigurinë e banorëve, veçanërisht në zonat malore, ku reshjet e dendura, rrëshqitjet e dheut dhe ndryshimet e menjëhershme të nivelit të lumenjve mund të shkaktojnë përmbytje të papritura.
Nepali është veçanërisht i ekspozuar ndaj përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe ortekëve për shkak të terrenit të thyer dhe kushteve të paparashikueshme të Himalajeve, vargmali më i lartë në botë.
Në këto zona, rrëshqitjet e shkëmbinjve, dheut dhe akullit mund të bllokojnë rrjedhën e lumenjve ose të shkaktojnë rritje të menjëhershme të nivelit të ujit, duke vënë në rrezik vendbanimet që ndodhen në zonat më të ulëta.
Vendi është gjithashtu i ekspozuar ndaj tërmeteve. Në vitin 2015, një tërmet me magnitudë 7,8 goditi Nepalin, duke lënë pas 9 mijë viktima.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe shkrirja e përshpejtuar e akullnajave mund të rrisin rrezikun e fatkeqësive të tilla në rajonet malore.




