Subscribe

Një ditë përpara vendimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian për nisjen e bisedimeve, katër kryediplomate i bëjnë thirrje homologëve të vendosin çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Ministrat e Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë në një letër të përbashkët theksojnë se progresi i dy vendeve është mbresëlënës.

 

“Ata kanë transformuar ekonominë, gjyqësorin, administratën publike dhe aparatet e sigurisë. Ne nuk mund të jemi të pavëmendshëm ndaj këtij realiteti dhe të kërkojmë justifikime për të mos ecur përpara me procesin e integrimit në BE. Ndërsa BE vendos nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE përcaktoi për ta, duke vendosur reforma të ndërlikuara të brendshme.”

 

Katër ministrat e jashtëm e quajnë nisjen e negociatave  një impuls të ri për Shqipërinë.

 

“Koha është e gatshme për të marrë një vendim të guximshëm për të ardhmen e jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Një vendim pozitiv do të dërgojë një sinjal të qartë se BE njeh rezultatet konkrete në përmbushjen e kushteve të përcaktuara. Ai do t’i sigurojë rajonit një impuls të ri për reforma dhe transformime të mëtejshme.”

 

Të marten paradite ministrat e Jashtëm të BE do të diskutojnë për zgjerimin dhe negociatat. Ata pritet të nxjerrin konkluzionet për të dyja e më pas t’i miratojnë ato. Dokumenti do ti paraprijë vendimit final të krerëve të shteteve në 17 dhe 18 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *