Nga 57 mjekë të qendrave shëndetësore të fshatrave të bashkisë Korçë, Maliq e Pustecit, 14 prej tyre janë mjekë pensionistë. Kjo pasi doktorët e rinj nuk pranojnë të shkojnë të punojnë në zonat rurale
“E para është mungesa e mjekëve të rinj në zonat rurale, preferojnë zonat urbane apo kryeqytetin. Një pjesë e tyre vijojnë specializimet, e kjo krijon vakume në mbulimin e kujdesit shëndetësor. Në dukje është negative, por për njerëzit është pozitive. Deri në këto momente kemi bërë maksimumin për kujdesin shëndetësor edhe në zonat më të larta”, tha Mikel Llogori, drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Korçë
Petrit Kacorri prej 45 vitesh punon si mjek në qendrën shëndetësore në Maliq. Ai ka 4 vite që ka dalë në pension, por ka një kërkesë për Ministrinë e Shëndetësisë.
“Arrita 71 vjeç, që në 1980 kam filluar punë. Kam punuar mjek familje. Kam 4 vite në pension. Mos bëjë kontratat 6 mujore, mua më ka mbaruar kontrata ka një muaj, duhet të iki Tiranë për të shtyrë kontratën. Kjo është për të gjithë. Si unë jane 15-20 doktorë. Sa të jenë të shëndetshëm të punojnë, kur s’je i aftë ikën vet”, u shpreh mjeku Petrit Kacorri.
Të shumtë janë mjekët që ndodhen në prag pensioni, ndërsa largimi i mjekëve dhe infermierëve të rinj drejt Gjermanisë apo vendeve të Bashkimit Europian ngelet një plagë për këtë sektor.
/vizionplus.tv





