Florian Marku është sportisti i dytë, pas kampiones së Evropës Luiza Gega, që kryeministri Edi Rama i dorëzon yllin e madh të mirënjohjes publike.

 

Në boksin profesionist ai fitoi titullin “WBC Silver”, një ndeshje që u zhvillua në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Florian Marku regjistroi një tjetër arritje që do t’i japë atij mundësinë të konkurrojë në nivele më të larta të boksit botëror.

 

Kryeministri Edi Rama e quajti sportistin shqiptar një shembull suksesi e veçmas në Britaninë e Madhe, ku ai zhvillon karrierën e tij.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të Shqipërisë, një ambasador i Shqipërie, i cili prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe në Myzeqe nga gjyshja.Gjyshi i përket atij komuniteti të shqiptarëve të Kosovës që sot e gjithë ditën jeton dhe banon si komunitet në zonën e Myzeqesë. Ka qenë aty jo për zgjedhjen e tij por sepse u internua, siç ishin shumë nga shqiptarët e Kosovës të internuar në periudhën e regjimit komunist dhe më pas Floriani me prindërit ka shkuar në emigracion, qysh i vogël në Greqi ku dhe ka filluar karrierën e tij, e më pas në Austri dhe më pas shpërthimin e tij e ka pasur në Britaninë e Madhe.Në Britaninë e Madhe ku aq shumë ne kemi nevojë për të nxjerrë në pah shembujt e suksesit sepse shqiptarët që jetojnë, që punojnë, që bëjnë sukses qoftë dhe si kuzhinier  apo si pronarë të vegjël biznesesh të vogla, apo si ndërtues janë shumë më tepër sesa ata pak shqiptarë që bëjnë zhurmën e madhe ndotëse për imazhin tonë dhe nëse do të kishte pak vëmendje dhe pak sens patriotizmi dhe dashamirësie edhe ata të cilët rrudhin buzët për këtë ceremoni, do duhet të buzëqeshnin dhe do duhet të buzëqeshnin sepse këtu bëhet fjalë për të nderuar një sportist, i cili realisht i ka arritur të gjitha ashtu siç i kanë arritur mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra emigrantë shqiptarë dhe i cili na nderon të gjithëve pasi shpalos flamurin kuq e zi si fitues në ekranet më të mëdha të televizioneve sportive.Kështu që unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës Florianit dhe e vërteta është që është Floriani që e nderon këtë godinë me praninë e tij, siç ishte Luiza që e nderoi këtë godinë me praninë e saj, unë dhe ne, jemi të nderuar që të ndajmë disa momente në këtë godinë me të tillë shqiptarë dhe s’kam pse e fsheh, kështu ne përmirësohemi.

 

 

 

Me të njëjtat fjalë si Luiza Gega, Florian Marku tha se arritjet nuk janë çështje fati, por sakrifice.

 

 

FLORIAN MARKU

BOKSIER 

Faleminderit kryeministrit, kryebashkiakut, faleminderit dhe Taulant Ballës që na ka përkrahur. Kjo është ëndërr që është bërë realitet, gjithë Shqipëria që më sheh mua është emocion, nuk di çfarë të them. Në karrierën time kam qenë realist e do ngelem ashtu. Kam lindur në Lushnjë dhe 7 vjeç kemi ikur me familjen në Selanik, hyra në boks, unë nuk vij nga një familje e pasur, të dy prindërit e mi kanë punuar, por kam qenë i vogël, i kam thënë nënës që kur të rritem nuk do të punosh më kurrë. Ja kam dedikuar jetën këtij sporti. U bëra shumë herë kampion Greqie, s’e kam hedhur kurrë poshtë flamurin shqiptar.Në kick boks kam pasur karrierë shumë të suksesshme. I kam operuar duart pesë herë, është sport shumë i vështirë. Kam qenë në Greqi pa letra, në Angli kam shkuar rastësisht, nga një promotor që na gënjeu. Më thanë kur të vish do kesh palestër, do të kesh çdo gjë e ne nuk gjetëm asgjë. Por, e kisha ëndërr që të boksojë në Angli dhe ishte fat që të ndodhesha atje. Në fillim askush nuk më besonte, por më vonë suksesi erdhi me punë e sakrifica. Shqiptarët nuk më kanë zhgënjyer kurrë, e kanë mbushur sallën plot kudo që jam ndeshur”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *