Kryeministri Edi Rama i qëndron bindjes se viti 2030 do ta gjejë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian.
“Negociatat po ndjekin kursin e përcaktuar në udhërrëfyes, i cili është i njëjtë për të gjitha vendet. Ju thjesht duhet të bëni detyrat e shtëpisë tuaj dhe të miratoni organin e ligjit evropian në legjislacionin tuaj dhe, nga ana tjetër, të demonstroni aftësinë për ta zbatuar atë. Për sa i përket afatit kohor, plani që kemi ndarë me Komisionin Evropian është që deri në fund të vitit 2027 të përmbyllim të gjithë pjesën teknike dhe më pas të trajtojmë pjesën politike, duke përfunduar me ratifikimin nga parlamentet kombëtare. Pra, nëse gjithçka shkon sipas planit, viti 2030 do të jetë viti që Shqipëria do të bëhet një anëtare e re e Bashkimit Evropian”, tha kreu i qeverisë.
Gjatë një interviste për gazetën spanjolle “La Razon”, Rama bëri të qartë se me Spanjën, nuk do të ketë të njëjtën marrëveshje si me Italinë për të zgjidhur problemin e emigrantëve.
“Italia nuk transferon emigrantë. Ajo thjesht kërkon të përdorë këto dy qendra që ka në Shqipëri për t’i përpunuar para se të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe të vendosë se kush i respekton procedurat dhe kush jo. Shqipëria nuk ka lidhje me të, Italisë i kemi dhënë vetëm këto dy vende me karakter ekstraterritorial për pesë vjet. Ata e përdorin atë dhe bëjnë atë që duan. Vende të tjera evropiane po planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë si Shqipëria, madje edhe administrata e Donald Trump po bën diçka të ngjashme. Ata mund ta planifikojnë atë, por jo me Shqipërinë, pasi e bëmë me Italinë për arsye historike, por edhe sepse gjeografia e lejon”, sqaroi Rama.
Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për kryeministrin është një mundësi që Evropa të zgjohet.
“Donald Trump thotë se Zoti e shpëtoi nga pushkatimi për ta bërë Amerikën sërish të madhe. Dhe jam shumë i lumtur që Zoti e bëri këtë. Shtoj se Zoti e shpëtoi Donald Trumpin për të zgjuar Evropën. Pra, nëse është kështu, Trump është një bekim për Evropën në kuptimin që Evropa ka çdo arsye të zgjohet dhe të ndryshojë dhe të bëhet shumë më e vetëdijshme – se nevoja për ndryshim nuk mund të shtyhet çdo vit – pasi përndryshe Evropa do të jetë më pak e rëndësishme. Evropa mund dhe duhet të jetë një fuqi e madhe, dhe për ta bërë këtë duhet të ndryshojë dhe të bëhet e vetëmjaftueshme”, tha shefi i qeverisë.
Sa i takon luftës së Rusisë në Ukrainë Edi Rama shprehu nevojën që bisedimet mes palëve të vazhdojnë dhe të arrihet paqja./vizionplus.tv





