Edhe pse të pritshme, tarifat tregtare për të gjithë mallrat që hyjnë në SHBA pritet të sjellin një valë të re inflacioni.
“Tarifat janë disa herë më të larta se tarifat e vitit 2018 dhe në dallim nga ai mandati i parë kur ishte për produkte specifike. Tani gjithë bota tarifohet me një nivel bazë 10%. Një ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pritet të përkthehet në rritje të inflacionit, të gjithë mallrat dhe shërbimet pritet të pësojnë rritje, do të preken pavarësisht se nuk kemi tarifa mes vendeve të Bashkimit Evropian apo të Ballkanit Perëndimor”, tha eksperti i ekonomisë Elvin Meka.
Në rastin e Shqipërisë, kur tarifa e vendosur nga SHBA për eksportet shqiptare është 10%, pasojë sipas ekspertëve do të jetë shtrenjtimi i tyre.
“Tarifa, qoftë edhe 10 përqind, do të shtrenjtojë të paktën në pjesën e eksporteve për tregun e SHBA, produktin shqiptar. Në raport me shtete të tjera ku tarifat janë më të larta, do të kemi një lloj avantazhi.”, shprehet Meka.
Në kushtet kur produktet shqiptare tarifohen më pak se mallrat e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, ky moment mund të shfrytëzohet nga Shqipëria:
“Mund të lindë një mundësi e mirë për t’u shfrytëzuar për vendet e rajonit që ata të kalojnë produktet e tyre përmes Shqipërisë dhe më pas vendi ynë t’i rieksportojë.”
Duke marrë në konsideratë vendimin që mund të marrë Bashkimi Evropian për t’u kundërpërgjigjur me tarifa ndaj SHBA, Shqipëria, sipas ekspertëve, mund të veprojë njësoj, duke qenë se aspiron për t’u integruar, por mund të vendosë edhe për të ruajtur marrëdhëniet gjeopolitike me Uashingtonin dhe për të mbrojtur konsumatorin shqiptar nga rritja e çmimeve për mallrat e importuara nga SHBA.
/vizionplus.tv




