Subscribe

Një vendim i bashkisë Tiranë, ka detyruar Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, së bashku me prodhuesit e betonit, t’i dërgojnë një letër-ankesë kryetarit Erion Veliaj dhe ministrit të Brendshëm Bledar Çuçi, si dhe për dijeni kryeministrit, dhe drejtorit të policisë, për të kërkuar zgjidhje të ngërçit të krijuar.

 

Kjo ankesë që përsëritet thuajse çdo vit, lidhet me vendimin e kryetarit Erion Veliaj,  për të mos lejuar qarkullimin e betonierëve para orës 20.00. Por pse ndërtuesit kërkojnë shfuqizimin e këtij vendimi dhe si cenohet sektori nga ky urdhër?

 

“Ne kërkojmë shfuqizimin e këtij urdhri, pasi hedhja e betonit është një proces që nuk mund të bëhet vetëm gjatë natës, pa ndriçim. Së dyti, vetë procesi teknologjik i këtij produkti nuk mund të ngarkohet dhe të shkarkohet pas shumë orëve. Ndaj një bllokim i tillë ndikon direkt në punën e ndërtuesve”, u shpreh Ilir Hebovija, drejtor Shoqata e Ndërtuesve.

   

Shoqata e Ndërtuesve, në letrën e saj i kërkon bashkisë që sektori të vijojë punën në normalitet, ndërsa apelon që të negociohet për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme, në mënyrë që të mos dalin urdhëra të tillë çdo vit.

 

“Të negociojmë me Bashkinë dhe Ministrinë e Brendshme në mënyrë që sektori më i rëndësishëm i ekonomisë të mos penalizohet, por të vijojë punën në normalitet të plotë.” 

 

Një urdhër i tillë shpesh herë është bërë edhe shkak për abuzime apo selektivitet të firmave që lejohen të punojnë, ndaj ndërtuesit dhe prodhuesit e betonit kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për gjetjen e një zgjidhjeje. Bashkia e Tiranës është institucioni që mban numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit të dhëna, por ajo me vendimet e saj bëhet pengesë për realizimin e tyre në praktikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *