E premte, 2 Tetor 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Ndërhyn Banka e Shqipërisë, lehtësohen kreditë për biznesin e vogël

Biznesi i vogël dhe i mesëm pritet të ketë më shumë frymëmarrje, pasi këtë pranverë do të mund të marrin kredi me norma interesi preferenciale 2-3.5%.

Banka e Shqipërisë do të vërë në zbatim programin që i mundëson bizneseve marrjen e një huaje, që kushtin e vetëm ka, të jetë për investim.

Reklamë

Erald Themeli, drejtor i politikës monetare në BSH gjatë një interviste për emisionin E-ZONE tha se ky program vjen si një nevojë e tregut.

“Nga të gjitha anketat tona na rezulton se për shkak të informalitetit, mungesës së ekspertizës, problemeve strukturore, mungesës së kolateralit biznesi i vogël ka pak ose aspak akses në financim. Më problematiku si sektor është bujqësia. Nisur nga kjo situatë kur kredia për biznesin e madh po zgjerohet me ritme dyshifrore, banka mendoi të hartonte këtë program për t’i ardhur në ndihmë çdo biznesi nga çdo fushë. Pra mund të aplikojë cilido biznes. Bankat e nivelit të dytë do të jenë ato që do të hartojnë analizën e riskut duke përzgjedhur aplikantët”, tha Themeli në Vizion Plus. 

Zyrtari i bankës tha se ky program do të jetë gati në pranverë. Banka qendore do t’i japë 25 miliard lekë bankave të nivelit të dytë, me qëllim disbursimin e tyre për  bizneset e interesuara.

“Ky program ka një afat 5-vjecar. Pra nuk shtrihet përtej 2030. Kreditë që do të merren duhet të mbyllen në këtë afat kohor. Shuma totale që mund të marrë një biznes është jo më shumë se 25 milion lekë. Ne mendojmë se kjo qasje do t’i japë pak më shumë frymarrje biznesit të vogël”, sqaroi Themeli.

Qeveria njoftoi se do të mundësojë që këto kredi, sidomos për sektorin e bujqësisë të jepen edhe me një garanci sovrane. Hua të tilla do të jenë me një normë interesi 2%./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë