Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Nga 4 marsi Shqipëria do të bëhet vendi i parë dhe deri më tani i vetmi në Ballkanin Perëndimor në të cilin NATO do të ketë bazën e saj ajrore taktike në Kuçovë.

Investimi prej 50 milionë eurosh zotëron të gjithë infrastrukturën e kërkuar nga NATO për të kryer nga stërvitjet e deri te operacionet me rëndësi strategjike të Aleancës së Atlantikut  jo vetëm në rajonin e ballkanit por edhe përtej tij.

Baza ajrore e Kuçovës dhe e NATO-s ofron të gjithë infrastrukturën e nevojshme  për zhvillimin e aktiviteteve stërvitore, jo vetëm të forcës ajrore, por edhe aktiviteteve stërvitore të përbashkëta me NATO-n dhe vendet partnere. Gjithashtu kjo bazë do të shërbejë për operacione të ndryshme të cilat do të zhvillohen nga NATO në bashkëpunim me forcat ajrore shqiptare”, shprehet Ferdinand Dimo, Komandant i Forcës Ajrore.

 Në intervistën e posaçme për Vizion Plus, Komandanti i Forcës Ajrore, Ferdinand Dimo që bashkë me ekipin shqiptar dhe atë të huaj ka ndjekur çdo hap të ndërtimit të bazës ajore taktike thotë se në këtë hapësirë ushtarake të NATO-s në Kuçovë është zbatuar teknologjia më e përparuar.

“Janë ndërtuar elementët e mbështetjes logjistike që ka të bëjë me vendin e armatosjes së avionëve , depozitat e furnizimit me karburant, me vendin e ruajtjes së armatimit, me rindërtimin e pistave të fluturimit. Baza e Kuçovës është e vetmja bazë që ofron drejtim fluturimi në të dy kahet. Dhe po aq është ndërtuar edhe kulla fluturimit”, thotë ai.

Jo vetëm si një pikë e rëndësishme e aktivitetit të Aleancës së Atlantikut në rajonin e Ballkanit, por ajo do t’i shërbejë fuqizimit të forcave ajrore shqiptare, ku trajnimi i pilotëve veçmas për avionët luftarakë tanimë është nisur.

“Kemi filluar përgatitjen e pilotëve bashkë me palën amerikane. Trajnimi konsiston jo vetëm në vlefshmërinë e aftesisë së pilotëve por edhe në trajnimin e personelit inxhinierik, e cila ka të bëjë me mirëmbajtjen në vijëmisi të të gjithë sisitemve që do të vendosen në bazën e Kuçovës”, thotë Dimo.

Edhe pse Shqipëria nuk zotëron avionë luftarakë, në ditën e çertifikimit të bazës ajrore taktike të Kuçovës, ato do të fluturojnë në qiellin shqiptar për të dhënë mesazhin e vëmendjës së shtuar të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, i kërcënuar shpesh herë nga Rusia.

 “Do të kemi të pozicionuar një çift avionësh luftarakë eurofighter2000, do të jenë prezentë F35 dhe F16, avionë luftarakë të partnerëve tanë”, shprehet komandanti.

Përveç se vendin tonë e kthen në një pikë strategjike për NATO-n, për qytetin e Kuçovës është një lajm i mirë në këndvështrimin ekonomik dhe për të rinjtë një mundësi punësimi.

“Lipset e nevojshme që shumë të rinj dhe të reja të veshin uniformën ushtarake për të shërbyer në specialitete të veçanta siç janë ato të teknologjisë së informacionit, të fushës mekanike dhe të elektronikës”, thotë Dimo.

Të hënën e 4 marsit, kjo hapësirë ushtarake do të çertifikohet nga NATO, ku ajo do të demonstrojë fuqinë e saj në një kohë konfliktesh dhe kërcënimesh për luftë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *