Duke numëruar të gjitha mbështetjet financiare që janë në dispozicion të fermerëve, kryeministri Edi Rama tha se problemi për zhvillimin e sektorit nuk është mungesa e parave, por mungesa e projekteve.
“Instrumentet janë, është buxheti i shtetit, është Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, është linja e re për financimin nga BSH garancia sovrane, Agrokrediti, Banka Shqiptare e Zhvillimit. Nuk duhet të mbetemi te situata që nuk është problemi të paraja, por te projekti, te mungesa e projekteve. Nuk është më problemi te vullneti dhe fuqia e qeverisë për të mbështetur rritjen e sipërmarrjes në bujqësi, por e një sipërmarrjeje aktive me projektet e duhura dhe formulat e duhura. Këto gjëra nuk keni pse i shpikni, këto gjëra bëhen me aleancat e duhura. Për këtë arsye është këtu rektori i Univesitetit Bujqësor. Bashkitë duhen shtryë për të marrë në dorë të gjithë përgjegjësinë për zhvillimin e fshatit, mbështetjen e fermerit”, tha Rama.
Rama i nxiti fermerët të synojnë cilësinë e produkteve që prodhojnë që të jenë gati edhe për momentin kur Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.
“BE vjen si bekim për ata që janë përgatitur, por si mallkim për ata që nuk janë gati, ka instrumente kontrolli të rreptë, janë 4 vjet kohë për t’u përgatitur që ajo ditë t’iu gjejë gati. Të jeni më aktivë në kërkimin e më shumë mbështetje financiare”, deklaroi Edi Rama.
Ministri i Bujqësisë nga ana tjetër njoftoi se skema e mbështetjes për fermerët do të rishikohet, një kërkesë e hershme e grupeve të interesit. Për këtë qëllim do të nisë edhe një cikël takimesh.
“Do ta rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes. Ne kemi për qëllim të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejt mes Qeverise dhe gjithsecilit prej jush. Pikërisht duke ju referuar atyre komenteve, ideve, kritikave që përmenda me lart, sëbashku me ekipin do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe për t’u përshtatur me realitetin në terren. Gjithashtu ne synojmë ta përafrojmë me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Andis Salla.
Brenda vitit, Rama deklaroi se fermerët do të kenë në dispozicion edhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit, një institucion financiar që do të ketë në fokus kreditimin e sektorëve të nënfinancuar, ku bën pjesë edhe bujqësia.
/vizionplus.tv





