Pas 37 ditëve, policia greke arriti të zbardhë të plotë vrasjen e 20-vjeçares Caroline. Pas hetimeve intensive, u arrit në përfundimin se 32-vjeçari Babis Anagnostopulos ka mbytur gruan e tij dhe më pas ka inskenuar çdo gjë sikur të ishte kryer nga hajdutët.

 

Krimi shokues ndodhi në sy të foshnjes së tyre. Provat e mbledhura nga grupi hetimor e detyruan pilotin 32-vjeçar të rrëfente gjithçka. Për tetë orë me radhë, ai tregoi se zënka nisi sepse Caroline donte të divorcohej dhe të merrte dhe vajzën me vete.

 

“Kohët e fundit kemi pasur sherre. Ky debat doli sërish rastësisht atë mbrëmje. Në një moment ajo e hodhi fëmijën në krevatin e saj dhe më tha të ngrihesha dhe të largohesha nga shtëpia. Ajo më shtyu dhe më goditi me grushte. Mua m’u errën sytë dhe e mbyta. Më pas sajova grabitjen”, tha ai.

 

Provat që fundosën Babis Anagnostopulos dolën nga një aplikacion në celularin e tij që regjistron hapat, kamera e sigurisë si edhe ora biometrike e Caroline. Aplikacioni tregoi se kur ai pretendonte se ishte i lidhur nga hajdutët, në të vërtetë po ecte.

 

Po ashtu, kamerat u fikën në orën 1.20 të natës, ndërsa grabitësit u tha se ishin futur në shtëpi tre orë më vonë. Regjistrimi i fundit në kamera ishte rreth orës 12.30 të natës fatale dhe tregon pilotin të ulur me foshnjën në dhomën e ndenjes së shtëpisë.

 

Kurse ora biometrike e Caroline regjistroi impulse të rritura dhe më pas asnjë shenjë jetë shumë më herët sesa koha kur piloti foli për vdekjen e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *