MPB: Policia dhe Garda masa shtesë, kishte njoftime për akte terroriste

Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi sot se festimet me rastin e ditës së Pashkëve, si rrallë herë u shoqëruan nga një angazhim i posaçëm i forcave të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës.
Në një deklaratë për mediat, Ministria e Punëve të Brendshme shprehet se “Ky angazhim i madh në numër dhe i specializuar në lloj i Policisë dhe i Gardës ishte në përgjigje të informacioneve të shërbimeve inteligjente vendase dhe të atyre partnere mbi mundësinë e kryerjes së akteve që cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike deri dhe në akte të karakterit terrorist”.
“Sigurimi i jetës së çdo qytetari është qëllimi parësor i veprimtarisë së Policisë së Shtetit si dhe i strukturave të tjera që merren me rendin dhe sigurinë publike. Ndaj, dhe në kohën kur qytetarët tanë festonin Ditën e Pashkëve, mbi 5 mijë punonjës të strukturave të policisë dhe Gardës kaluan gjatë 48 orëve të fundit në gjendje gadishmërie të përforcuar, dhe me profesionalizëm dhe përkushtim realizuan me sukses mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve fetare të zhvilluara, duke garantuar kështu jetën e qytetarëve dhe sigurinë në vend”, theksohet ne deklaraten e ministrise se Punëve të Brendshme.
Më tej në te thuhet se “Është me shumë rëndësi të kuptohet nga të gjithë se situatat e konfliktit politik në një vend si Shqipëria, edhe në kontekstin e zhvillimeve rajonale, mundet të shfrytëzohen lehtësisht nga elementë të caktuar për të kryer akte kriminale, destabiliteti deri edhe terroriste. Ndaj inkurajojmë fort çdo qytetar të ndershëm që për hir të interesit të tyre dhe të familjeve të tyre, të raportojnë çdo fakt apo të dhënë që ngjall dyshime në lidhje me rendin dhe sigurinë publike”.
“Vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin profesional me strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe atë me shërbimet partnere duke përfshirë edhe ato të vendeve fqinje. Vlerësim i lartë shkon për strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, të cilët me profesionalizëm dhe seriozitet menaxhuan situatën e këtyre 48 orëve të fundit”, vihet ne dukje ne deklarate.




