Reshjet e dendura të shiut të nisura pas mesditës kanë sjellë përmbytje të disa akseve dhe kryqëzimeve në qytetin e Vlorës.
Rruga “Hasan Kushta”, rruga “Gjergj Araniti”, aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit “Ismail Qemali “janë përmbytur nga ujërat e shumtë ndërsa kanë sjellë probleme në lëvizjen e mjeteve.
Lexo edhe :
Related Posts
Reshjet po bien me intensitet të lartë, ndaj dhe prurjet e ujit janë të shumta.
Kështu edhe automjetet dhe këmbësorët kanë hasur vështirësi në lëvizje për shkak të prezencës së madhe të ujit në rrugë e trotuare.
Për të normalizuar situatën është ndërhyrë nga punonjës të shërbimeve të bashkisë Vlorë në hapjen e pusetave dhe kanalizimeve.
Por situata vijon të jetë e rënduar.
Më herët bashkia e Vlorës me një njoftim paralajmëroi qytetarët që të mos parkonin mjetet në segmentet problematike të qytetit, referuar përmbytjeve.
“Ju bëjmë thirrje të jeni vigjilentë dhe të mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë si: “Albano&Romina”, Biblioteka Publike, pranë Kishës Orthodhokse, në “Skelë” te dykalimshi. Grupet tona të Ujësjellës Kanalizime dhe Bashkisë së Vlorës, do të jenë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme. Nëse hasni problematika nga reshjet e shiut me prezencë të ujit, na kontaktoni: Emergjencat: 112, Facebook: Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Instagram: uk_rajoni_vlore, Facebook: Bashkia Vlorë”, thuhet në njoftim.