Stuhia e shiut me erë që përfshiu këtë të shtunë pjesën më të madhe të vendit shkaktoi kaos në lëvizje dhe trafik të rënduar për qytetarët.
Në Tiranë stuhia ka shkaktuar rrëzimin e disa pemëve në disa zona, ndërsa në rrugë pati nivel të lartë të prezencës së ujit.
Lexo edhe :
Related Posts
Edhe në Durrës mjaftuan pak minuta reshje shiu që në qytet të pezullohej qarkullimi i automjeteve, ndërsa është pezulluar edhe lundrimi i mjeteve detare.
Stuhia e shoqëruar me reshje të dendura ka shkaktuar probleme edhe në qytetin e Lezhës. Përmbytjet kanë prekur disa zona kryesore, mes tyre Bulevardin “Gjergj Fishta” dhe bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja. Niveli i ujit ka arritur deri në 30 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Situata e rënduar nga moti i keq ka sjellë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, ku probleme janë raportuar edhe në zonën turistike të Shëngjinit.
Në Vlorë, në Fier dhe në Lushnjë gjithashtu pati rrebeshe shiu dhe erëra të forta.
Autoritetet kanë bërë apel për kujdes maksimal, duke u kërkuar drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të shmangin lëvizjet në oraret problematike, deri në stabilizimin e kushteve atmosferike.
Në Shkodër gjithashtu kanë nisur reshjet e shiut, por deri më tani nuk raportohen probleme. Moti i keq me reshje shiu dhe erë, parashikohet të vijojë edhe përgjatë të dielës.
/vizionplus.tv







