Vendi ynë po përballet këtë javë me temperatura nën 0 gradë, ndërsa termometri ka shënuar rekord në qarkun e Shkodrës me minus 22 gradë celsius konkretisht në Qafën e Thorës.
Si pasojë e ngricës së madhe aksi Bogë-Theth kalohet me vështirësi.
Autoritetet këshillojnë përdorimin e zinxhirëve për të gjithë drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë segment.
Ndërkohë në Pukë temperaturat kanë shkuar deri në minus 11 gradë.
Si pasojë e acarit liqeni i vogël në këtë qytet ka ngrirë. Siç shihet edhe nga pamjet, akulli ka përfshirë të gjithë sipërfaqen.
E njëjta situatë është dhe në juglindje të vendit. Temperaturat e ulëta kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në zonat malore. Kjo për shkak të prezencës së akullit në rrugë.
Burime zyrtare nga prefektura e Korçës, bëjnë me dije se qarkullimi i mjeteve në këto fshatra bëhet vetëm me zinxhirë.
Ndërkohë në akset nacionale lëvizja bëhet pa problem. Ndërsa në rrugët e fshatrave turistike të Dardhës e Voskopojës rekomandohet përdorimi i gomave dimërore.