Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se do t’i kërkonte qeverisë amerikane të mos ndërhynte në punët e brendshme politike të vendit, duke i dërguar një mesazh të qartë Uashingtonit.
“Nuk u përfshiva në fushatën zgjedhore amerikane dhe as nuk mbajta qëndrim në favor të një kandidati apo një tjetri”, tha Merz në një intervistë me televizionin publik ZDF.
“Do të doja ta inkurajoja dhe t’i bëja thirrje qeverisë amerikane që t’ua lërë punët e brendshme politike të Gjermanisë gjermanëve dhe të përmbahet nga ndërhyrjet partiake.”
Sipas Politico, deklaratat e Merz erdhën në përgjigje të reagimit të Uashingtonit pas vendimit të Zyrës Federale Gjermane për Sigurinë e Brendshme për të klasifikuar partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si një parti “ekstremiste”.
Ky veprim provokoi një reagim të fortë nga zyrtarët e lartë të administratës Trump. Sekretari i Shtetit Marco Rubio, e quajti vendimin “tirani të maskuar” në një postim në platformën X.
Në intervistën e tij, Merz e hodhi poshtë këtë deklaratë duke e quajtur një “koment absurd” dhe la të hapur mundësinë e diksutimit të çështjes gjatë telefonatës së tij të planifikuar me Presidentin Donald Trump të enjten.
Merz theksoi se do të përfaqësonte “hapur” qëndrimet gjermane dhe evropiane.
“Së bashku jemi më të mëdhenj se SHBA-të”, shtoi ai, duke iu referuar Bashkimit Evropian.
“Numri i konsumatorëve tanë është më i madh se ai i Amerikës dhe Kanadasë së bashku. Ne kemi diçka për të ofruar. Ne mund të arrijmë diçka. Ne jemi të bashkuar, të paktën në një masë të madhe, dhe ky do të jetë mesazhi im për qeverinë amerikane.”
Merz pritet të takohet personalisht me Trumpin për herë të parë në samitin e NATO-s në Hagë në qershor, ndërsa për të koordinuar më mirë strategjinë evropiane të mbrojtjes para atij takimi, ai planifikon të vizitojë Parisin dhe Varshavën të mërkurën për bisedime me homologët e tij.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Merz ishte zotuar të forconte rolin e Gjermanisë në skenën evropiane.
Megjithatë, dështimi i tij për të siguruar votat për tu zgjedhur kancelar që në përpjekjen e parë të martën në Bundestag zbuloi dobësinë e tij politike, gjë që mund të pengojë aftësinë e tij për të përmbushur premtimet e fushatës./vizionplus.tv





