Në zbatim të masës së sigurisë, “Detyrim Paraqitje”, deputetja Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK. Ajo qëndroi përreth 30 minuta përballë oficerëve të policisë gjyqësore ndërsa ironizoi gjetjet e SPAK për dosjen CEZ-DIA, Lobimin në SHBA dhe operacionet kirurgjikale.
“Unë jam një individ dhe politikane që vendos të përballem madhe me padrejtësitë që bëhen. Kam evidentuar një sërë shkeljesh ligjore të konsumuara nga SPAK. Do të kundërshtohen me fakte, prova dhe argumente që do t’u vërtetojnë shqiptarëve të kundërtën e asaj çfarë thuhet. Edhe ju do të njiheni me të vërtetat e këmbësores dhe të satelitëve të Shqipërisë”, tha ajo.
Lexo edhe :
Related Posts
Edhe një herë Kryemadhi bëri të qartë se nuk ka asnjë kontakt me ish- Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
“Jo jo, nuk komunikoj, zero komunikim me zotin Meta”, tha Kryemadhi.
Nga ana tjetër po sot, në Gjykatën e Posaçme, u paraqit edhe avokati Genc Gjokutaj për të kundërshtuar masën e arrestit në burg të klientit të tij, Ilir Meta, i bashkëhetuar me Kryemadhin.
“Meta ka qenë në dispozicion të hetimi gjithmonë, ky është një vendim i tipit thashethem. Vendim që bazohet në hamendësime, në ndërthurje me hamendësim të rrethanave të caktuara. Te pjesa e mosdeklarimit të pasurisë situata është krejt tjetër, po e investigojmë dhe nuk bëjmë dot të ditur më shumë”, u shpreh avokati.
Partia e Lirisë ndërkohë i ka kërkuar informacion Policisë së Shtetit për Forcat Operacionale që arrestuan ish- presidentin.
“Deputetët e Partisë së Lirisë kanë depozituar kërkesë për informacion në lidhje me këtë çështje, të shikojmë se çdo na thotë policia, çfarë përgjigje do japë, ne kallëzimin e kemi gati për ta dorëzuar. E kërkojmë të dokumentuar që të bëjmë një kallëzim dinjitoz për të vënë në vend ligjin e shkelur dhe për të parandaluar precedentë të tillë të llahtarshëm”, tha ai.
Në bindje të urdhrit të gjykatës, në SPAK u paraqitën edhe Ema Çoku, mikesha e Monika Kryemadhit që dyshohet se ka kryer pastrim parash dhe ish- kreu i AKEP, Piro Xhixho, njëherësh edhe babait i deputetes, Erisa Xhixho që akuzohet për korrupsion pasiv. /vizionplus.tv








