Peter Reynolds, 80 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Barbie, 76 vjeçe të cilët kishin jetuar për afro dy dekada në Afganistan janë liruar pas pothuajse 8 muajsh burgosjeje nga talibanët dhe janë ribashkuar me vajzën e tyre, Sarah Entwistle.
Çifti u la i lirë pas ndërmjetësimit të Katarit dhe mbërriti në Doha, ku u prit nga vajza e tyre në një skenë tejet emocionale, me përqafime dhe lot gëzimi. Pas disa kontrolleve mjekësore, ata pritet të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse për vite të tëra kishin jetuar në provincën Bamiyan të Afganistanit.
Talibanët thanë se çifti kishte shkelur ligjet vendase dhe u lirua pas përfundimit të një procesi gjyqësor, por nuk dhanë detaje të tjera mbi akuzat apo rrethanat e mbajtjes së tyre.
Kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi lirimin si një “çlirim të pritur me padurim”, ndërsa falënderoi Katarin dhe udhëheqësin e tij, Amir Sheikh Tamim bin Hamad al Thani, për ndërhyrjen vendimtare. Edhe ministri britanik për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, theksoi përpjekjet intensive të qeverisë dhe rolit kyç të Katarit në arritjen e këtij rezultati.
Familjarët thanë se shëndeti i çiftit ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të burgimit – Peter pësoi kriza të forta konvulsive, ndërsa Barbie vuante nga anemia dhe kequshqyerja. Gjatë negociatave, zyrtarët katarezë siguronin trajtim mjekësor dhe komunikim me familjen.
Peter dhe Barbie Reynolds u martuan në Kabul në vitin 1970 dhe për 18 vitet e fundit kishin drejtuar një program trajnimi humanitar të miratuar nga autoritetet lokale. Megjithëse shumë të huaj u larguan pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, çifti kishte zgjedhur të qëndronte në vend.
/vizionplus.tv





