Lufta e ashpër në Rripin e Gazës ka shkaktuar tragjedi të shumta, të cilat rrëfehen për mediat kombëtare nga bluzat e bardha. Sulmet gjatë natës kanë vrarë e plagosur dhjetëra civilë, një pjesë e të cilëve janë dërguar në spital.

Mjekët raportojnë se rreth 15 anëtarë të së njëjtës familje u vranë dhe 20 u plagosën nga sulmet në perëndim të Khan Younis mbrëmjen e djeshme.

“Disa orë më vonë, 10 persona u plagosën nga një sulm ajror në shtëpinë e familjes Qudra. Që nga agimi, anëtarët e familjeve Wafi dhe Wadi janë vrarë gjithashtu në perëndim të qytetit”, shprehen mjekët.

“Njerëzit erdhën me trupin e copëtuar nga bombardimet dhe nuk mundëm t’i identifikonim,” tha një mjek.

Bluzat e bardha shprehen se civilët e plagosur operohen pa anestezi, për shkak të mungesave të theksuara të furnizimit me medikamentet elementare.

“Ne kemi pak anestezi. Na ka mbaruar gjaku dhe linjat e dobëta telefonike bëjnë që nuk mund të telefonojmë as mjekë të tjerë kur kemi nevojë”, tha mjeku.

Si pasojë e sulmeve të vazhdueshme rruga për në spital përshkruhet si e rrezikshme./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *