Qarku i Elbasanit, gjatë ditëve të nxehta të verës sheh një rritje të ndjeshme të frekuentimit të pishinave dhe burimeve natyrore ujore.
Por aty ku ka relaks, nuk mungon edhe rreziku. Mjekët infeksionistë të qytetit ngrenë alarmin se gjithnjë e më shumë qytetarë paraqiten në spital me infeksione bakteriale, mykotike dhe të lëkurës si pasojë e ujërave të ndotura dhe ambienteve të pasigurta.
“Gjatë muajve të verës ne shohim një rritje të rasteve me infeksione, veçanërisht ato të lëkurës dhe traktit tretës, të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e pishinave të pasigurta nga ana higjieno-sanitare”, tha mjeku infeksionist Andi Volumi.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka nisur prej javësh kontrollet në të gjitha pishinat në qark.
“Problemi kryesor që kemi konstatuar është mungesa e trajnimit të stafit që kujdeset për mirëmbajtjen e pishinave. Në disa raste, nuk janë marrë masat bazë të sigurisë higjienike, gjë që përbën rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve”, tha Enver Shkurti, Drejtor i ISHSH, qarku Elbasan.
Vetëm gjatë ditëve më të nxehta të qershorit, në spitalin rajonal janë regjistruar deri në 20 raste në ditë të personave që kanë kërkuar ndihmë për infeksione të marra në pishina./vizionplus.tv





