Kryeministri britanik Rishi Sunak ka paralajmëruar sot masa të reja që synojnë frenimin e azilkërkuesve shqiptarë.

 

Gjatë fjalës së tij para deputetëve në parlamentin britanik ai theksoi se ndryshimet në sistem do të çojnë në refuzimin e shumicës dërrmuese të kërkesave për azil nga Shqipëria.

 

Sunak tha se në fillim të vitit tjetër qeveria do të nxjerrë ligje për të siguruar që emigrantët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht nuk do të mund të kërkojnë azil aty.

 

Ai shtoi se pothuajse një e treta e azilkërkuesve janë nga Shqipëria.

 

RISHI SUNAK

KRYEMINISTRI BRITANIK

 

Në fillim të vitit të ardhshëm do të prezantojmë legjislacion të ri për ta bërë të qartë se nëse hyni ilegalisht në Britani, nuk do të jeni në gjendje të qëndroni këtu. Ju do të ndaloheni dhe do të ktheheni me shpejtësi ose në vendin tuaj ose në një vend të sigurt ku do të shqyrtohet kërkesa juaj për azil. Dhe për më tepër, nëse reformat tona për Shqipërinë sfidohen në gjykata, ne do t’i vendosim ato gjithashtu në një bazë statutore për të siguruar që trajtimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj shqiptarëve të ardhur nuk është i ndryshëm nga ai i Gjermanisë apo Francës. Mënyra e vetme për të ardhur në MB për azil do të jetë përmes rrugëve të sigurta dhe ligjore. Shqipëria është një vend i sigurt dhe i begatë dhe njerëzit nuk mund të pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne vetëm nëse ka prova për këtë, jo vetëm një dyshim.

 

Sipas një plani të prezantuar nga ai, një njësi e dedikuar prej 400 specialistësh do të ngrihet për të trajtuar kërkesat e azilantëve shqiptarët.

 

Gjithashtu zyrtarët kufitarë të Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje të re me vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *