Subscribe

Edhe pse kamerat e sigurisë të një biznesi privat kanë filmuar momentin e vrasjes së Xhulio Prelës, policia e shtetit ende nuk ka një autor të identifikuar për ekzekutimin e efektivit të FNSH-së.

 

26-vjeçari u vra me armë zjarri ditën e shtunë në autostradën Lezhë-Milot. Mësohet se janë marrë dëshmitë e familjareve dhe bashkëpunëtoreve të të riut të cilët kanë thënë se viktima nuk kishte probleme apo konflikte me ndonjë person tjetër.

 

Por pista kryesore ku janë fokusuar hetimet mbetet tek ndonjë konflikt personal që mund të ketë pasur 26-vjeçari. Hetimet janë shtrirë gjithashtu edhe në veprimtarinë e vëllait të Prelës i cili prej disa vitesh është emigrant në Angli.

 

Pritet që kamerat e sigurisë të një biznesi në autostradë të hedhin dritë në zbardhjen e ngjarjes. Sipas burimeve, është fiksuar momenti kur Xhulio Prela është afruar dhe ka biseduar me autorët e krimit të cilët më pas e kanë qëlluar me armë zjarri.

 

Megjithatë në pamje është mjaft i vështire identifikimi i automjetit të autorëve, duke qenë se aty pranë ka qenë i parkuar dhe një mjet i tonazhit të rëndë i cili ka penguar pamjen e plotë.

 

Pas krimit, mendohet se autorët janë larguar në drejtim të Laçit në rrugën dytësore. Gjithashtu dyshimet janë fokusuar edhe në telefonatën e fundit të viktimës.

 

Efektivi pasi kishte përshkuar disa metra rrugë në drejtim të Tiranës është kthyer sërish në vendin ku po e prisnin autorët pranë fshatit Gajush të Lezhës ku dhe mbeti i vrarë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *