Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologun e tij slloven, Tone Kajzer, në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha tha se diskutimi u përqendrua te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e ardhmja e Evropës dhe rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor.
“Jam shumë i kënaqur që e fillova ditën time në Forumin Strategjik të Bledit #BSF26 me një shkëmbim interesant me Ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Tone Kajzer”, shkroi ministri.
Sipas Hoxhës, gjatë takimit u diskutua gjithashtu për nevojën e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe kontakteve mes qytetarëve të dy vendeve, në mënyrë që ato të jenë në të njëjtin nivel me dialogun e mirë politik mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.
Ministri theksoi se të dyja vendet ndajnë bindjen se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, reforma, rezultate dhe besim të ndërsjellë.
“Zgjerimi është gjithnjë e më shumë një imperativ gjeopolitik dhe një investim në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, u shpreh Hoxha.
Ai nënvizoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj, me synimin për të avancuar drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.





