Presidenti bullgar Rumen Radev i dorëzoi të premten ministrit të Financave, Asen Vasilev mandatin për formimin e qeverisë së re.

 

Kryeministri në largim Kirill Petkov, një reformist properëndimor, i cili dha dorëheqjen në fillim të kësaj jave pas një votimi të mocionit të mosbesimit, ka thënë më herët se partia e tij e qendrës “Të vazhdojmë Ndryshimet” (PP) do ta propozojë Vasilevin për kryeministër të ardhshëm të vendit.

 

Vasilev tani ka shtatë ditë për t’i dhënë fund krizës më të re politike në Bullgari, për të cilën Radev ka thënë se është edhe ekonomike dhe sociale.

 

Vasilev duhet t’i propozojë Radevit një kabinet për miratim dhe më pas të përballet me votimin e besimit në parlament.

 

Vasilev tha se të gjithë janë të vetëdijshëm për krizën, me të cilën përballet Bullgaria, duke shtuar se do të jetë e rëndësishme që qeveria “të punojë në interes të qytetarëve, jo në interes të status quo-së”.

 

Vasilev fitoi mandatin pasi Partia e majtë Socialiste Bullgare (BSP), një partnere në koalicionin e Petkovit, hodhi poshtë mundësinë për ta mbështetur atë.

 

BSP-ja, tradicionalisht miqësore me Moskën, thotë se është e zemëruar nga vendimi i Petkovit për të dëbuar diplomatët rusë. Më 28 qershor, Petkov njoftoi se Bullgaria po dëbon 70 diplomatë rusë që kanë punuar kundër interesave të Bullgarisë.

 

Më herët, të premten, ambasadorja ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova tha se do t’i kërkojë Moskës mbylljen e ambasadës së saj në Sofje.

 

Kërkesën për votimin e mosbesimit ndaj qeverisë bullgare e ka paraqitur partia opozitare e qendrës së djathtë GERB, duke e akuzuar qeverinë për menaxhim të dobët të financave publike dhe politikës ekonomike, si dhe për pamundësinë për të frenuar inflacionin në rritje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *