Subscribe

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ritheksoi se nuk ka asnjë garë ndërkombëtare për ndërtimin e segmentit Milot-Fier dhe se fituesi është paracaktuar. Sipas saj, tenderin do ta marrë një kompani greke, duke shtuar se PD e paralajmëroi se do ndodhte një gjë e tillë 6 muaj më parë.

E ftuar në emisionin “E-Zonë”, Tabaku tha se kostoja e këtij projekti është 20 herë më e lartë se korridori Adriatiko-Jonian që po ndërtohet me fondin e BE-së, e për këtë arsye e konsideron një aferë korruptive me fitues të paracaktuar.

“Çdo denoncim i yni ka qenë i vërtetë, me prova dhe fakte. Nuk ka garë ndërkombëtare sepse ka ardhur e përcaktuar; kriteret kanë ardhur për një firmë greke. E kemi paralajmëruar që 6 muaj më parë. Do të shohim që një kompani greke do ta marrë këtë tender, sepse kështu janë hartuar kriteret. Kostoja është 20 herë më e lartë se korridori Adriatiko-Jonian që po ndërtohet me fondin e BE-së. E gjithë kostoja e autostradës Joniane që lidh 5 shtete është dyfishi i kostos që është vetëm brenda Shqipërisë. Shkon në 20 milionë euro një kilometër. Këto standarde tregojnë qartë që është një aferë korruptive. Pagesa për rrugën do të shkojë 8.5 euro. Bilanci i infrastrukturës së kësaj qeverie është e turpshme, sjellja me buxhetin e shtetit është kriminale; e kanë rritur borxhin publik 13 për qind vetëm me këto lloj kontratash. Të gjitha do të anulohen që ditën e parë.”

Demokratja pohoi se të gjitha tenderat dhe koncesionet janë dhënë pa garë, ndërsa shtoi se rënia e besimit të biznesit për klimin ekonomike është më e larta në tetë vitet e fundit.

“Rënia e biznesit ishte më e madhja në 8 vitet e fundit. Shqetësimet lidhen me elementë të brendshëm. Lidhet me korrupsionin, monopolet dhe favoritizmin, i cili është një shqetësim shumë i madh, taksa progresive ka nxitur informalitetin. Një grup tjetër lidhet me performancën e ekonomisë.  Të gjithë këto faktorë lidhen me vizionin e qeverisë dhe mënyrën se si qeveria ka operuar në këto 8 vite. Të gjitha tenderat dhe koncesionet, të paktën ato me vlerë të madhe, i janë dhënë vetëm një grupi të caktuar njerëzish. Ne i kemi identifikuar. Të gjithë këto janë dhënë pa garë. 1 në 3 tendera jepen pa garë, i paracaktuar. Si ka mundësi që në treg nuk vjen asnjë investitor i huaj dhe të aplikojë një projekt dhe ta fitojë atë. Gara e drejtë nuk ndodh në ekonominë shqiptare. Qeveria e ka konsideruar biznesin e ndershëm si armik, duke e goditur me taksat.”

Sa i përket taksës progresive, Tabaku deklaroi se dëmtoi rëndë ekonominë e familjeve shqiptare, e për këtë, ajo i referohet gjithashtu të dhënave të konfirmuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *