Vijon të bëhet edhe më misterioze zhdukja e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Sekretari i Shtetit në SHBA, Mike Pompeo deklaroi se nuk e kanë parë nga afër diktatorin dhe se nuk kanë asnjë informacion për të dhënë për të.
Nga ana tjetër, ai u shpreh i shqetësuar se Koreja e Veriut rrezikon nga koronavirusi dhe uria.
“Ne nuk e kemi parë atë. Ne nuk kemi asnjë informacion për të raportuar sot, por po e ndjekim nga afër situatën. Ekziston një rrezik i vërtetë që vendi të vuajë nga uria, të ketë një mungesë ushqimi edhe në Korenë e Veriut. Ne jemi duke e parë nga afër situatën.”
Kim Jong Un nuk është parë në publik që prej 12 prillit dhe më pas nisën aludimet se ai është i sëmurë rëndë ose se ka vdekur.
Po ashtu, pati spekulime se diktatori qëndron në një resort në Wonsan për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Të hënën presidenti Donald Trump deklaroi për mediat amerikane se ai e di se ku ndodhet Kim Jong Un, por shtoi se nuk mund të thotë asgjë për momentin.





