Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të enjten se mbështet idenë për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Ai i bëri këto komente para fillimit të samitit dy ditorë të Bashkimit Evropian, ku pritet të diskutohet edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

 

“Dua të them se mbështesim edhe idenë sa më shpejt të jetë e mundur për të organizuar një konferencë me disa vende anëtare shumë aktive të Bashkimit Evropian për të mbështetur të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, sepse kohët e fundit kemi parë disa vështirësi duke u bërë arsye për përshkallëzim dhe mendoj se ka ardhur koha për të pasur një qasje globale, ka ardhur koha për të bërë hapa të qartë në normalizim”, tha zoti Michel.

 

Idenë për një konferencë të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka përmendur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë takimeve të fundit të tij me zyrtarët evropianë në Bruksel. Zoti Rama ka thënë se kjo konferencë do t’i bënte palët bashkë “dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasojat”.

 

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbështesin një plan tre piëksh të paraqitur nga Bashkimi Evropian për shtensionimin e situatës që përfshin: pezullimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale me përfundimin e njëkohshëm të protestave; shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës; dhe një kthim në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

 

Shefi i diplomacisë evropiane Josef Borrell tha sot se do të kërkoj nga udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian mbështetjen e tyre për të vazhduar trysninë ndaj palëve për të shmangur përshkallëzimin dhe për t’u kthyer në normalitet.

 

“Shtetet anëtare kanë vendosur që masat duhet të ndërmerren, ekonomikisht dhe politikisht në mënyrë që t’u bëhet e qartë se nëse nuk kontribuojnë për shtensionim do të vjen me kosto”, tha ai.

 

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se gjatë javës do të shpall masat ndëshkuese për Kosovën si rrjedhojë e mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke komentuar mundësinë për vendosjen e masave të prazantuara nga Komisioni Evropian, tha sot se Kosova është partneri dhe aleati më i sinqertë dhe i qëndrueshëm i vlerave evropiane në rajon.

 

“Në raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim, atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij Unioni, sepse besojmë në këtë Union. Të njëjtin besim e kemi edhe sot”, tha ai.

 

Pezullimi i të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, pezullimi i financimit të programeve të Bashkimit Evropian, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike, janë disa nga masat ndëshkuese për Kosovën që pritet të shpallen gjatë javës nga Bashkimi Evropian./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *