Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, do të zhvillojë paraditen e së hënës një takim me kryeministrin Edi Rama në Bruksel.

 

Në fokus të takimit pritet të jetë situata e krijuar në veri të Kosovës dhe zgjidhjet e propozuara nga vetë kryeministri Edi Rama.

 

Ky i fundit së fundmi ka dërguar një letër në adresë të presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si dhe Presidentit të KE, Charles Michel, nga të cilët kërkon uljen në tryeze të Kurtit dhe Vuçiç dhe gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare mbi ngërçin e krijuar.

 

Krahas retorikës politike dhe thirrjeve ndaj liderëve të Kosovës e Serbisë, kryeministri Edi Rama ka konkretizuar propozimet e tij për normalizimin e situatës dhe zgjidhjen e saj përmes dialogut.

 

 

Rama ndërmori hapin e parë duke formuar një draft të asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ky draft ndonëse është refuzuar nga Kurti dhe Vuçiç, për kryeministrin Rama mbetet zgjidhja ideale. Ai thekson se ndërkombëtarët janë shprehur optimist dhe kanë vlerësuar draftin e tij.

 

Nga ana tjetër, Kurti dhe Vuçiç po refuzojnë vazhdimisht tentativat e ndërkombëtarëve për dialog duke gjetur faj tek njëri-tjetri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *