Përplasja mes mazhorancës dhe Presidentit sa vjen e thellohet. Duket se lufta e deklaratave do të bëhet edhe më e ashpër me afrimin e zgjedhjeve parlamentare.

I ftuar në studion e lajmeve në “Vizion Plus” këtë të premte, deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti qartësoi se mazhoranca do të rrëzojë menjëherë kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga ana e presidentit Ilir Meta.

“Qendrimi i kësaj mazhorance ka qenë i qartë që ditën kur në Parlament votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ne presim që Presidenti i Republikës ta rikthejë për rishqyrtim ligjin. Ju sigurojë që në emër të mazhorancës ne do ta fusim në procedurë parlamentare menjëherë dekretin e Presidentit. Në Komisionin e Ligjeve dhe seancën plenare ne do të vendosim njëzëri rrëzimin e tij. Kemi analizur një për një të gjitha pretendimet e atij materiali që Presidenti sot ka bërë me dije për të gjitha mediat.”

Deklaratën e kreut të shtetit se kushdo që vjedh votat duhet t’i pritet dora, Shameti e konsideroi një metaforë.

“Une e rishikoj si metaforë nga ana e Presidentit. Nuk e di çfarë do të ndodhte nëse do të kishim një ligj të tillë dhe t’i jepnin një fuqi prapavepruse që nga viti 2001, atëherë do të ishte çudia më e madhe.”

I pyetur lidhur me përgatitjen e një ligji të ri për Presidentin, Shameti tha se javën tjetër, në Kuvend priet të depozitohen të dyja nismat ligjore: ndryshimet kushtetuese dhe ligji organik.

“U vura në dijeni edhe nga qëndrimi që Presidenti kishte mbajtur jo vetëm për kthimin e Kodit Zgjedhor, por i kishte përcjellë Komisonit të Venecias një kërkesë nga ana e Bashës, ku paraqiten pretendimet për ndryshimet që ne i kemi hartuar njëzëri në Kodin Zgjedhor.  Ju siguroj që në vijim dhe në respekt të qëndrimit që Komisioni i Venecias pati në opinionin e fundit që kishin të bënin me dy ligje: statusin e gjyqtarëve e prokurorëve dhe nismë ligjore në lidhje me shmangien e bllokimit të betimi të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.  Javën që vjen ne kemi përgatitur të dy nismat, si atë të ndërhyjes në kushtetutë për të reflektuar opinionin e Venecias, ashtu dhe bërjen e ligjit organik që është i domosdoshëm edhe në frymën e zbatimit kushtetues për Presidentin. Ju siguroj që nuk është ligj privilegjesh. Ky do të jetë një ligj që do të përcaktojë në mënyrë të qartë aparatin e kontrollit dhe balancën e institucioneve, duke pasur parasysh më së miri që Shqipëria është një Republikë Parlamentare. Jam shumë optimist që javën tjetër do të kemi të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë të dyja nismat ligjore: ndryshimet kushtetuese dhe ligjin organik.”

Sipas tij, ligji i ri nuk do të prekë kompetencat e Presidentit, por do të shmangë çdo konflikt.

“Nuk preket asnjë kompetencë e Presidentit, por do të bëhet përshkrimi i saktë dhe shmangia e çdo lloj konflikti nga ato më banale që kanë ndodhur që nga marrja e detyrës së Presidentit nga presidenti aktual e deri në ditët e sotme, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi asnjë lloj konflikti institucional mes palëve në një sistem demokratik.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *