Meta “rrëzon” Opozitën e Bashkuar/ Kthen ndryshimet e propozuara nga PD-LSI në ligjin e policisë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka refuzuar të dekretojë një tjetër ligj; por këtë here jo të qeverisë, por një ligj të hartuar nga Opozita e Bashkuar. Kreu i shtetit ka rikthyer në parlament ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit të cilat i japin më shumë kompetenca uniformave blu në proceset zgjedhore e që janë propozime të Partisë Demokratike dhe që janë dakordësuar në Këshillin Politik. Por sipas Ilir Metës, këto ndryshime krijojnë paqartësi në punën e policisëw.
Pra Policia e Shtetit do ketë dy mënyra se si ajo të veprojë përgjatë një procesi zgjedhor: sipas ligjit të saj, ku funksionon përmes urdhëresave të brendshme që ndjekin hierarkinë administrative brenda strukturave të Policisë së Shtetit; sipas rregullave të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Presidenti ndërkaq ka refuzuar të dekretojë edhe disa ndryshime që janë bërë nga Ministria e Brendshme dhe që sipas tij i japin Policisë së Shtetit kompetenca për të gjurmuar e përgjuar këdo, pa ju dashur më parë një vendin Gjykate apo urdhër prokurori.
“Kjo paqartësi e veprimtarisë së Policisë së Shtetit përgjatë proceseve zgjedhore, e lidhur edhe me kompetencën tjetër shtesë që i jepet asaj përmes këtij ligji për të gjurmuar dhe mbikëqyrur çdokënd e jashtë kontrollit gjyqësor, krijon shteg që në praktikë, edhe përgjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre. Një parashikim i tillë në këtë ligj, synon të cenojë parimet bazë mbi të cilat duhet të veprojë Policia e Shtetit, si parimi i pavarësisë operacionale dhe paanshmërisë politike.”
Ne fillim të vitit Partia Demokratike dhe LSI kërkuan në Këshillin Politik rikthimin e Policisë së Shtetit me një rol më aktiv në procesin zgjedhor. Këshilli Politik në fund të qershorit miratoi propozimin e opozitës dhe në shtator ligjet u depozituan në parlament. Për shkak se opozita ka djegur mandatet, të gjitha propozimet e PD janë firmosur nga deputetët socialistë. Askush nuk e ka pritur që presidenti do të kthente një draft të opozitës dhe KQZ po punonte për të hartuar një rregullore sesi do të sillet policia në zgjedhje, duke e marrë të mirëqenë se hyrja në fuqi e ligjit nuk do të haste në asnjë pengesë.




