Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë mbrëmjen e kësaj të hënë pjesë e veprimtarisë artistike-kulturore tradicionale “Sofra Tiranase 2019”, që u organizua në Pallatin e Kongreseve.

 

Në këtë aktivitet janë shpalosur vlerat më të mira të kulturës dhe traditës shumëvjeçare të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së mesme.

 

Presidenti i Republikës në prani të anëtarëve dhe miqve të shoqatës “Tirana”, personaliteteve të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase, ka shprehur urimet në këtë datë të rëndësishme historike të përvjetorit të shpalljes të Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.

 

“Tirana shënon këtë vit edhe 405-vjetorin e saj të themelimit si qytet. Dëshiroj të uroj qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët: Gëzuar ditëlindjen e Tiranës dhe 99-vjetorin e shpalljes së saj kryeqytet! Vendimi i Kongresit të Lushnjës për shpalljen e Tiranës si kryeqytet ka qenë një vendim i gjetur dhe largpamës.Tirana ia ka dalë me sukses të luajë rolin promotor të civilizimit shqiptar. Qyteti dikur i vogël, me arkitekturë modeste është shndërruar tashmë në metropolin ambicioz dhe qendrën më të madhe ekonomike, administrative, politike, universitare, mediatike, sociale dhe kulturore të vendit.Përgjatë një shekulli, Tirana rezulton qyteti me transformimin më të madh urban dhe njerëzor të Shqipërisë, në të cilin sukseset dhe sfidat e përparimit janë të lidhura shpesh me arritjet e mbarë vendit.Kryeqyteti shqiptar hodhi shtat mbi trashëgiminë e një komuniteti vendas human, atdhetar dhe me vlera qytetare të arrira. Traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin faktorë që i bashkuan shqiptarët e gjithë trojeve në një diversitet kulturor të larmishëm dhe harmonik. Në këtë 99-vjetor ne përulemi me mirënjohje ndaj kontributit, historisë,  mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore të komunitetit tiranas.  Tirana ka kontributin, atdhetarët dhe dëshmorët e vet në gjithë  përpjekjen shqiptare për liri, demokraci dhe progres shoqëror. Kryeqyteti është modeli që i inspiron shqiptarët drejt demokracisë dhe qytetërimit perëndimore. Tirana përbën potencialin e mendimit të përparuar, energjisë rinore dhe kapaciteteve intelektuale.  Në të gjithë fushat e jetës, në arsim, shkencë, art, sport, kulturë dhe folklor, komuniteti juaj është ndër më të shquarit.”

 

Presidenti Meta në këtë përvjetor ka vlerësuar kryetarin e shoqatës “Tirana”, zotin Arben Tafaj me Titullin “Për merita të veçanta civile”: “Për shërbimin e çmuar dhe aftësitë e larta drejtuese në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve vendore, vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare; si dhe në ruajtjen e përsosjen e traditës e trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *