Subscribe

Presidenti i republikës Ilir Meta u ka bërë thirrje deputetëve të pranojnë dekretin e tij, duke refuzuar zgjatjen e koncesionit për aeroportin e Rinasit.

Një ditë pasi i ka dorëzuar zyrtarisht kuvendit argumentet, pse kjo marrëveshje nuk duhet miratuar, Meta ka deklaruar para gazetarëve se çdo deputet e zyrtar i përfshirë në këtë çështje do të mbajë përgjegjësi para ligjit, raporton Vizion Plus.

 

ILIR META

PRESIDENT I REPUBLIKES

“Të jeni të sigurt se pas 25 prillit çdo shkelje ligjore dhe çdo falsifikim në dëm të interesit publik, do të ndiqet me rigorozitet të plotë. Prandaj u bëra ftesë të gjitha forcave politike, përveç deputetëve që shpresoj të reflektojnë, por edhe atyre që garojnë në zgjedhjet e ardhshme, ta lexojnë më vëmendje këtë çështje.”

 

Meta ka shfrytëzuar zgjatjen e koncesionit të Rinasit për të kritikuar reformën në drejtësi.

 

“Pa asnjë diskutim nëse do të kishim pasur vërtet një Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do të kishin guxuar ministrat, Qeveria, por edhe vetë Kuvendi të bënin këto dhe shumë afera të tjera.”

 

Kreu i shtetit ka sulmuar qeverinë edhe për mënyrën si ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit.

 

“Ju e dini se kush ja vuri “tritolin” në atë kohë Teatrit Kombëtar, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të pandemisë. Ju jeni në dijeni të përpjekjeve, që kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme, për të mbështetur çdo nismë, që ka qenë në funksion të përballimit të pandemisë..”

 

Një ditë më parë presidenti Meta bëri thirrje për transparencë për planin e vaksinimit, duke kërkuar  që të ndryshohet strategjia anti-Covid për shkak të rritjes së numrit të qytetarëve që kanë humbur jetën, si pasojë e koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *