Presidenti Meta, vlerësoi me rastin e 92-vjetorit të lindjes,  portierin legjendë të “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, Sulejman Maliqati me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar, talentin dhe personalitetin e jashtëzakonshëm, si një nga portierët më të famshëm në historinë e futbollit shqiptar, legjendë e të gjitha kohëve”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, miqve, kolegëve dhe personaliteteve të shquara të sportit, Presidenti Meta vuri në dukje:

Sul Maliqati është një nga portierët më të famshëm në historinë e futbollit shqiptar, një legjendë e padiskutueshme e të gjitha kohëve, frymëzim dhe shembull për shumë gjenerata sportistësh, të cilët hynë në botën e sportit dhe arritën suksesin, të frymëzuar nga modeli i mjeshtërisë së tij.  Portieri i mirënjohur i ekipit të Partizanit dhe Kombëtares në vitet 1949-1965, është një nga ikonat e gjalla të futbollit shqiptar me një karrierë sportive të nisur me ekipin e Besës së Kavajës. Profesor Maliqati është thesari i kujtimeve dhe emocioneve aq të paharruara të futbollit shqiptar, që na kujton portierët më të mëdhenj të historisë botërore të sportit.

Presidenti Meta shtoi se Sul Maliqati, me pasionin e tij të jashtëzakonshëm do të mbahet mend edhe si sportisti, siç e përmendi edhe gazetari Bujar Qesja, i cili u mësoi danezëve himnin shqiptar me shumë dashuri.

Dekorata ‘Nderi i Kombit’ që i akordohet sot legjendës së futbollit Sulejman Maliqati është një vlerësim i punës, i sakrificave, i rezultateve, i miqësisë e thjeshtësisë, që karakterizon këtë futbollist legjendar, një njeri me vlera dhe integritet të lartë, qytetar i respektuar, por edhe një edukator shembullor për brezat më të rinj.

Legjenda e portës, Sulejman Maliqati është fitues i 7 titujve kampionë dhe i 4 kupave të Shqipërisë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *