Problemet politike presidenti Ilir Meta i ndau këtë të premte edhe me raporteren e Parlamentit Evropian, Isabel Santos. Ai e priti në një takim zyrtaren e huaj, ku midis të tjerash kanë diskutuar edhe për situatën politike. Në “Facebook”, Meta akuzoi edhe një herë mazhorancën se po tenton të kapë Gjykatën Kushtetuese me çdo mjet.

 

“Kënaqësi të takohesha me raporteren e Parlamentit Europian, znj. Isabel Santos. Mirënjohës për ndihmën që institucionet europiane dhe vendet anëtare dhanë në ndihmë të popullit shqiptar. Lakmia e mazhorancës për të kapur me çdo mjet antikushtetues Gjykatën Kushtetuese cënon integritetin e këtij institucioni kyç për llogaridhënien qeverisëse dhe kompromenton rëndë vullnetin e kësaj mazhorance për të çelur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Miratimi i ligjit antikushtetues ditën e mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias dëshmon mungesën e thellë të respektit ndaj këtij institucioni ndërkombëtar, dhe fakton se qëllimi i vetëm i kësaj mazhorance është rikthimi i diktaturës përmes “mjeteve ligjore”.”

 

Isabel Santos bëri thirrje që politikanët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mendojnë për të mirën e popullit. Po ashtu, ajo apeloi që të miratohet reforma zgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *