Subscribe

Pas betimit të kryetares së kuvendit Lindita Nikolla dhe 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, Presidenti Ilir Meta emëron Edi Ramën si kryeministër. Me nxjerrjen e dekretit Edi Rama ka dhjetë ditë kohë për të prezantuar në parlament programin qeverisë për katër vitet e ardhshme dhe më pas të votohet nga ligjvënësit bashkë me 15 ministrat e qeverisë “Rama 3”.

Është e mundur që kryeministri Edi Rama të mos vonohet aspak për të përmbushur detyrimin e tij, dhe të bëjë prezantimin e programit qeverisës dhe të ekipit të tij që në seancën e pritshme të së hënës.

Me miratimin në parlament ku partia socialiste gëzon shumicën madje e mbështetur edhe nga Social Demokratët e Tom Doshit, siç e tregoi edhe në mbrëmjen e së premtes vota pro për Lindita Nikollën si kryetare kuvendi, Edi Rama i nis për dekretim Ilir Metës emrat e ministrave.

Shtatë ditë kohë ka kreu i shtetit për tu shprehur me dekret. Me nxjerrjen e tij kryeministri Edi Rama dhe të tijët i shkojnë në zyrë presidentit për t’u betuar, që po ata e shkarkuan në mbyllje të mandatit të dytë qeverisës.

Mbetet për tu parë nëse Ilir Meta do të shkaktojë vonesa apo pengesa për dekretimin e ministrave të rinj, për aq kohë sa mes tyre është Ulsi Manja si ministër i drejtësisë, emri i të cilit del në përgjimet e dosjes 184.

Kujtojmë se para zgjedhjeve të 25 Prillit, në përplasjen mes mazhorancës dhe presidencës, në qendër të akuzave të Ilir Metës ishte edhe Ulsi Manja, në atë kohë kryetar i komisionit të ligjeve. Madje Ilir Meta paralajmëroi se do të nxirrte fakte të reja ndaj tij që do ta bënin të harronte dosjen 184 të vjedhjeve të zgjedhjeve në Dibër.

Pas reagimit të një dite më parë në Facebook ku Ilir Meta përgëzonte zgjedhjen e Lindita Nikollës në krye të parlamentit dhe ku deputetët e LSI-së, ndryshe nga Partia Demokratike, aleatja e saj opozitarë deri para 25 Prillit, nuk e grisën votën por e hodhën në kuti, duket se edhe dekretimi i qeverisë së re do të jetë sa i qetë aq edhe i dashur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *