E enjte, 24 Shtator 2026 Film TV deri në 00:31 Në vijim ora 00:31: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Begaj dekreton shkarkimin nga detyra të Vlora Hysenit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar shkarkimin e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar mbrëmjen e kësaj të marte shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Njoftimi:

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafi 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot shkarkimin e zonjës Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Reklamë

Kujtojmë se paraditen e sotme, ndaj Hysenit, SPAK lëshoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ndërkohë, pasditen e kësaj të marte, kryeministri Edi Rama deklaroi nga SHBA-ja se e lironte Hysenin nga detyra, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

Po ashtu, Hyseni u vetëdorëzua mbrëmjen e kësaj të marte në pikën kufitare të Morinës.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Edhe pse arsyet zyrtare nuk u bënë kurrë publike, në media u përfol për dyshime mbi integritetin dhe mosruajtjen e informacioneve të klasifikuara.

Ardhja në Shqipëri

Pas largimit nga Prishtina, Vlora Hyseni gjeti menjëherë mbështetje në Tiranë: Këshilltare e Kryeministrit. Në shtator të vitit 2021, Kryeministri Edi Rama e afroi duke e emëruar si këshilltare të tij për çështjet e sigurisë.

Emërimi në krye të SHISH

Më 17 mars 2023, Rama i propozoi Presidentit Bajram Begaj emrin e saj si drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Ky propozim u shoqërua me debate të forta, pasi opozita kërkoi transparencë për arsyet pse ajo ishte shkarkuar në Kosovë. Pavarësisht debateve, ajo u dekretua zyrtarisht më 3 prill 2023, duke u bërë gruaja e parë në histori që drejton këtë institucion. Por, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.

Roli ndërkombëtar

Gjatë kohës në krye të SHISH, ajo u vlerësua në disa portale ndërkombëtare të inteligjencës (si Intelligence Online) për përfshirjen e shërbimit shqiptar në sfidat globale, luftën ndaj kërcënimeve hibride ruse e iraniane dhe menaxhimin e krizave.

Pezullimi nga detyra

Sot, më 22 shtator 2026, rrugëtimi i saj në krye të SHISH u ndërpre pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK duke caktuar ndaj saj masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”. Ajo po hetohet në kuadër të fraksionit të ri të dosjes “AKSHI”, nën dyshimet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Tashmë që ajo nuk ndodhet në Shqipëri, pritet të shihet se çfarë rruge do të ndjek SPAK për të vënë në bankën e të akuzuarve Vlora Hysenin.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.