Edicioni i 43-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike u mbajt në rajonin piktoresk të Dordogne-s, Francë, duke mbledhur artistë nga e gjithë bota.
Këtë vit, Shqipëria ishte vendi i ftuar i nderit, me një program tërësisht të përbërë nga melodi shqiptare nga të gjitha trevat, interpretuar nga Kuarteti TOGHA – formacion i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, së bashku me sopranon e njohur kosovare Flaka Goranci, e cila jeton dhe vepron në Vjenë.
Presidenti i këtij festivali shprehet i emocionuar që pjesë është bërë edhe Shqipëria, ndërsa e vlerëson kulturën dhe artistët shqiptare.
“Kemi një grup muzikantësh shqiptarë nga Shqipëria, që luajnë melodi shqiptare në këto vende madhështore, dhe në të njëjtën kohë historia e Shqipërisë vazhdon këtë vit. Unë gjithashtu kam një dashuri dhe pasion të madh, mund ta themi, për Shqipërinë, që kur ambasadori më prezantoi me të 7 ose 8 vjet më parë. Dhe kështu këtë sezon e nisim me një këngëtare të mrekullueshme shqiptare të Kosovës, , dhe një kuartet harqesh që rrjedh nga formacioni i njohur i forcave të armatosura shqiptare”, tha Jean Luc Soule, Presidenti i festivalit.
Drejtori artistik i këtij festivali, po ashtu vuri në pah pjesëmarrjen e artistëve shqiptare të cilët me performancat e tyre i shtuan edhe më shumë emocion skenës.
“Kjo është kisha madhështore e Auriac ku koncerti i parë kushtuar Shqipërisë do të zhvillohet në këtë edicion të festivalit, i cili përqendrohet në Mesdhe. Jemi shumë të lumtur të mirëpresim Kuartetin e Orkestres Simfonike te Forcave te Armatosura me mezzo – soprano Flaka Goranci. Festivali do të vazhdojë me pika kryesore për të nxjerrë në pah kulturën e pasur shqiptare. Do të mirëpresim violinistin e madh Tedi Papavrami, Do t’i bashkohemi Marie Ange Nguci, e cila është një pianiste e mrekullueshme që luan në skenat më të mëdha në botë”, tha Julien Kieffer, Drejtori artistik i festivalit.
Sopranoja kosovare Flaka Goranci u shpreh se ndihet e vlerësuar që ky festival u prit mjaft mirë nga publiku i gjerë.
“Neve sapo kemi përfunduar koncertin sonte i cili është prit jashtëzakonisht mirë nga publiku francez. Atë që deshëm të sillnim sonte me kuartetin francez e kemi sjellë në mënyrën më të denjë”, tha sopranoja kosovare Flaka Goranci.
Ky bashkëpunim artistik solli në Francë tingujt e pasur të traditës shqiptare, të gërshetuar me interpretimin e nivelit ndërkombëtar, duke përçuar emocione të forta te publiku dhe duke forcuar imazhin kulturor të vendit tone në arenën ndërkombëtare.





