Subscribe

Një etapë e re nis në sektorin e turizmit. Hoteli më i madh në vend ka hapur dyert për të sjellë një standard të ri në tregun turistik. Po flasim për brandin prestigjioz spanjoll, hotel “Melia” në “San Pietro Resort” në Gjirin e Lalzit, që sjell për herë të parë në tregun tonë konceptin “All Inclusive”, apo gjithçka të përfshirë.

 

Pas një pune disa vjeçare, hoteli i parë me pesë yje është gati për të pritur turistë nga e gjithë bota. Në ceremoninë e inaugurimit ishin prezentë biznese të fushës, kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit, kryetarja e bashkisë Durrës dhe personalitete të tjera.

 

Për investitorin e këtij projekti, që është grupi “Concord Investment”, ardhja e brandit spanjoll “Melia” në Shqipëri u konkretizua pas një analize që ju bë tregut turistik.

 

ARTAN DULAKU

 

CEO I GRUPIT “CONCORD INVESTMENT”

 

“Bëmë një kërkim të tregut dhe na rezultoi që ‘Melia’ është i pari në Spanjë për numrin e punimeve, numrin e shtretërve dhe shpërndarjen në tërë globin. Menduam se ishte e favorshme të bashkëpunonim me maksimumin e asaj që ofron arena evropiane. Në të gjithë procesin e ndërtimit ishte një bashkëpunim shumë i ngushtë mes ekipit tonë, ‘Edil Al’ dhe ‘Concord’, dhe grupit të ‘Melia’-s.”

 

Turizmi është një sektor që po njeh rritje domethënëse vitet e fundit. Ky zhvillim së bashku dhe me besueshmërinë e grupit “Concord Investment” tërhoqën vëmendjen e grupit spanjoll për të qenë prezent në Shqipëri. Por a është ky hotel sipas pritshmërive të grupit?

 

GABRIEL ESCARRER

 

CEO I “MELIA” GROUP

 

“Absolutisht! Është sipas standardeve të duhura, si për shërbimin, ashtu edhe për markën ‘Melia’. Jam i sigurt se do të jetë një hotel i suksesshëm dhe do të bëhet destinacion për të gjithë. Besoj se përfaqëson atë që ofron marka. ‘Melia’ ka qenë gjithnjë një destinacion pionier në mbarë botën, kur bëhet fjalë për resortet. Pionier në Spanjë, por edhe në Mesdhe. Ishim pionierë në Azi dhe në Karaibe. Duke qenë pionierë në Shqipëri, kjo përfaqëson diçka për të cilën jam shumë krenar. Falë bashkëpunimit me grupin ‘Concord’, jam i sigurt se do të jetë një pronë shumë e suksesshme dhe fitimprurëse.”

 

 

Por sa e vështirë ishte për investitorin të bindë grupin hotelier të ishte prezent në Shqipëri, një sfidë tashmë, e cila ka kaluar me sukses.

 

“Kur trokisja në dyert e operatorëve të ndryshëm turistikë, pyetja e tyre e dytë e radhës pas ‘pse duhet të vijmë në Shqipëri’, ishte ‘kush është tjetër në Shqipëri’. Dhe realisht nuk ishte askush. Për këdo ishte sfidë, pse duhet të shkoj unë i pari, pse nuk ka të tjerë. Këto ishin dilema që frenonin mundësinë e një kontrate biznesi me ta. ‘Melia’ ishte një gjetje e jona, sepse kishim iniciativë dhe pamë atë që do të ndodhte pas 5 vitesh, që të tjerët nuk e panë. ‘Melia’ hyri, bëri kontratën, kjo ngriti automatikisht interesin dhe të gjithë trokisnin në dyert tona, për të thënë që duam edhe ne të bashkëpunojmë” – shprehet Artan Dulaku, Ceo i ‘Concord Investment’.

 

Puna për të ndërtuar hotelin më të madh në vend nisi 5 vite më parë. I pranishëm në inaugurimin e fillimit të punimeve ishte dhe kryeministri Edi Rama. Sot 5 vite më pas, Rama tha se ky projekt është edhe më i bukur nga prezantimi 3D.

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER

 

“Protagonisti kryesor që ka sjellë ‘Melia’ në Shqipëri është Blendi Klosi, që është i ftuar këtu si bashkudhëtar i këtij projekti dhe që ka përkrahur me Artanin dhe familjen Dulaku, kanë punuar për të ardhur në këtë ditë. Ky është një investim që flet vetë, ndalimi im i gjatë shkonte kur bëmë inaugurimin që nuk kishte asgjë këtu, përveç Artanit, Adit dhe një gruaje që kishte sjellë ‘Melia’ këtu. Fjalimi i gjatë atëherë ishte për të mbajtur gjallë entuziazmin, por askush nuk e besonte, veç nesh, që këtu do të ndodhte ajo e treguar në 3D. Çfarë është ndërtuar, është edhe më e bukur nga çfarë është paraqitur në 3D.”

 

“Melia Durrës”, hoteli më i madh në rajon, ofron 475 dhoma për të gjithë turistët, ambiente relaksi, hapësira argëtuese për fëmijë e të rritur, si edhe kuzhinë të shijeve të ndryshme, për të përjetuar një eksperiencë unike me pesë yje në bregdetin shqiptar. Njëkohësisht, “Melia” është dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në tregun e punës, ku numëron më shumë së 350 punonjës. Për Ministren e Turizmit, hoteli është një standard i ri dhe një sfidë e kaluar me sukses.

 

“Melia Group” dhe “Concord Investment” kanë hedhur një sfidë në tregun e investimeve në fushën e hotelerisë. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë të ketë patenta të tilla të rëndësishme ndërkombëtare dhe patentat të ndiqen nga cilësia. Me ‘Melia Group’ kemi një investim serioz që përkthen atë në kuadër ligjor dhe mbështetje që qeveria ka nisur vite më parë për investimet strategjike. Nuk mund të matemi dhe të kënaqemi me rritjen e numrit të turistëve nga viti në vit. E rëndësishme është cilësia që duhet të prevalojë dhe sasia e mjaftueshme në kapacitetet akomoduese. ‘Melia’ është rasti tipik, ku të gjitha këto janë bashkë.”

 

“San Pietro Resort” dhe “Melia” janë një investim që kap shifrën e rreth 100 milionë eurove. Është i pari investim që fiton statusin e investitorit strategjik nga grupi “Concord Investment”, grup i cili ka kontributin e tij në zhvillimin ekonomik të vendit. Por ambiciet e grupit nuk ndalen këtu.

 

Artan Dulaku

 

“Në thelb, kush është sipërmarrës në momentin që ka finalizuar projektin e ëndrrave të tij, mendon për projektin e tij të radhës. Ne jemi të mallkuar nga kjo pikëpamje. Patjetër që jemi krenarë për atë që kemi realizuar, por tashmë jemi duke menduar për projektin tonë të radhës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *