Shqipëria u bë këtë javë mikpritëse e një prej emrave më të mëdhenj në industrinë botërore të pijeve, “Campari Group”.
Përfaqësues nga tre kontinente si Europë, Azi dhe Afrikë, u mblodhën në “Melia Durrës”, një investim i grupit “Concord Investment”, për konventën vjetore të korporatës “Campari”.
“Çdo vit të gjithë parterët tanë bëhen bashkë për t’u lidhur me njëri-tjetrin, të ndajmë praktikat tona më të mira, por në veçanti parashtrojmë planet për muajt dhe vitet e ardhshme. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu në Shqipëri për këtë event”, tha Michele Porta, drejtor ekzekutiv Emea Partnerships – Campari Group.
Ky është një aktivitet që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe “Melia Durrës” hapi dyert për këtë takim, ku morën pjesë kompani nga mbi 80 shtete, me një xhiro që kalon 40 miliardë euro në vit.
“Ka shumë arsye përse kemi zgjedhur Shqipërinë. Është vendi i duhur për këtë event. Jemi në Hotel “Melia” në Durrës, një ambient shumë relaksues, por edhe me shumë stil. Duke qenë një takim global është vendi perfekt për të pranishmit, që udhëtojnë nga lindja e perëndimi apo jug-veri. Kjo mund të jetë qendra e botës”, tha Michele Porta.
“Campari Group”, me marka të njohura si “Aperol”, “Campari” e “Crodino”, vjen në vendin tonë në bashkëpunim me partnerin ekskluziv për rajonin, kompaninë shqiptare “Eurolab Internacional”.
“Kemi një lidhje të gjatë, mendoj që prej 1998 që jemi partner me ‘EuroLab’. Mund të them që po bëjmë një punë të mrekullueshme së bashku. Sa herë që vij në Tiranë jam i lumtur kur shikoj ‘Aperol Spritz’ në bare dhe rrugë. Kjo është një shenjë që brandi po rritet. Shqiptarët e duan ‘Aperol Spritz’, kjo na jep shumë kofidencë për të ardhmen”, u shpreh Porta.
Zgjedhja e Shqipërisë për organizime të tilla shihet si një sinjal i fortë i rritjes së imazhit të vendit, jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si skenë për evente të mëdha të biznesit ndërkombëtar.
Këto aktivitete dëshmojnë faktin sesi investime të tilla prestigjioze me 5 yje si “Melia Durrës”, po sjellin në Shqipëri jo vetëm pushues, por edhe ngjarje globale.
/vizionplus.tv





