Një varg kamionësh të Gardës Kombëtare meksikane janë vendosur përgjatë kufirit pranë Teksasit këtë të enjte.
Këto janë trupat e parë nga 10.000 në total që do të dërgojë Meksika në kufirin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forcat e armatosura kaluan në periferi të Ciudad Juárez, duke nxjerrë shkallët e improvizuara dhe litarët dhe më pas duke i tërhequr ato me automjetet e tyre. Patrulla u panë edhe në pjesë të tjera të kufirit kryesisht pranë Tijuanës.
Veprimi vjen pasi Trump njoftoi se do ta shtynte fillimin e zbatimit të taksave ndaj Meksikës për të paktën një muaj. Në këmbim, presidentja Claudia Sheinbaum, premtoi se do ta dërgonte Gardën Kombëtare për ta përforcuar kufirin dhe për ta ndaluar trafikimin e fentanilit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufi, edhe pse fluksi i emigrantëve dhe ngarkesat e fentalinit kanë shënuar rënie të konsiderueshme vitin e fundit.
Nga ana tjetër Donald Trump ka deklaruar do të bëjë më shumë për parandalimin e trafikimit të armëve amerikane drejt Meksikës dhe për të luftuar dhunën nga kartelet e drogës./vizionplus.tv





