Nevzat Çeço, babai i të ndjerit Martin Çeço nga fshati Kolanec, ka reaguar ashpër pas vendimit për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Martina Pajollari.
I tronditur dhe i revoltuar, ai është shprehur se drejtësia nuk po vihet në vend, duke theksuar se ky vendim është një goditje e dytë për familjen e tij.
“Po si ka mundësi? Po të vras unë, më lirojnë? Të vrasësh një njeri të pafajshëm dhe ta lirojnë. Më duket sikur po ma vrasin djalin për herë të dytë. A nuk ka ligj këtu? Nëse lirohen ata, unë nuk i lë. Le të vijë policia të më arrestojë që tani. Unë po e shoh çfarë drejtësie është kjo. Një pulë të vrasësh, të fusin në burg, jo një të pafajshëm. Unë i vrarë jam. Të ma vrasin djalin e të lirohen nga burgu, unë i vdekur jam. Ata e kanë vrarë. Kam 500 faqe nga Gjykata. Unë nesër kam gjyqin. Do bëhem shembull te dera e gjykatës. Unë i vdekur jam.”, është shprehur Nevzat Çeço.
Më herët, rreth dy muaj më parë, edhe tre të akuzuarit e tjerë për këtë ngjarje janë liruar nga paraburgimi për të njëjtën arsye, përfundimin e afateve ligjore.
Sipas akuzës, Martina Pajollari dyshohet se ka nxjerrë në pritë viktimën, Martin Çeço, dhe më pas nuk ka kallëzuar krimin pranë autoriteteve.
Martin Çeço u vra në qershor të 2022, dhe trupi i tij u hodh më pas në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. 26-vjeçari dyshohet se u vra për çështje xhelozie pasi kishte krijuar lidhje dashurie me Martina Pajollarin, e cila gjithashtu ishte e lidhur me Valter Mollajn.
/vizionplus.tv





