Këtë të enjte në Shqipëri numri i të shëruarve nga koronavirusi ja kaloi numrit të rasteve të reja.
Genta Qirajko nga Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit janë shëruar 158 qytetarë, ndërsa janë konfirmuar 156 raste pozitive.
“Sot është dita me numrin më të lartë të të shëruarve, duke kapërcyer edhe numrin e rasteve të reja ditore.158 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID19, ndërsa 156 qytetarë rezultojnë të prekur nga virusi SARS COV2 në 24 orët e fundit. Në të gjithe vendin janë kryer 865 testime. Rastet e konfirmuar pozitivë me COVID-19, i përkasin kësaj shpërndarje gjeografike në vend 101 raste në Tiranë, 12 raste në Durrës, 5 raste në Librazhd, nga 4 raste në Fier, Korçë, Berat, 3 raste në Elbasan, Tropojë, Kamëz, nga 2 raste në Krujë, Kukës, Ura Vajgurore, Peqin, Gramsh, nga 1 rast në Shkodër, Lushnje, Mirditë, Dibër, Bulqizë, Himare, Kuçovë.”
Nga ana tjetër, kanë humbur betejën me virusin edhe tre persona të tjerë. Numri total i viktimave ka shkuar në 266.
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 56 vjeçar, një 65 vjeçare nga Tirana dhe një 79 vjeçare nga Kuçova me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve.”
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 168 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 14 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar.